Një zjarr ka shpërthyer gjatë natës në një objekt ndihmës të një ferme në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të njësisë së zjarrfikësve nga Kumanova, raporton TVFesta.mk.
Sipas informacioneve zyrtare, rasti është denoncuar në orën 23:14 në Stacionin Policor të Mateçit, ku është njoftuar se flakët kishin përfshirë një hapësirë ndihmëse të fermës.
Menjëherë pas denoncimit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Kumanovës, me një automjet zjarrfikës dhe katër zjarrfikës.
Intervenimi ka zgjatur nga ora 23:15 deri në orën 00:35, kur zjarri është shuar plotësisht.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe një ekip i Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, i cili ka kryer kontrollin e nevojshëm për të dokumentuar rastin.
Shkaqet e shpërthimit të zjarrit, si dhe vlera e dëmeve materiale, ende nuk janë përcaktuar dhe pritet të konstatohen pas hetimeve përkatëse. /tvfesta

