KUMANOVË

Arrestohen tre shoferë nga Kumanova për vozitje në gjendje të dehur

Tre shoferë janë arrestuar nga policia në Kumanovë, pasi gjatë kontrolleve dhe intervenimeve në trafik është konstatuar se drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit. Njëri prej tyre kishte plot 3.35 promilë alkool në gjak, ndërsa një tjetër ishte përfshirë edhe në një aksident trafiku, raporton TVFesta.mk.

Sipas informacioneve të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, rasti më i rëndë është regjistruar më 7 nëntor 2026, në orën 01:42, në bulevardin “Brigada e Tretë Sulmuese Maqedonase”, ku policia ka ndaluar një automjet të tipit “Seat”, me targa të Shkupit.

Gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i automjetit, K.K. (27) nga Shkupi, kishte 3.35 promilë alkool në gjak, pas çka është privuar nga liria.

Rasti i dytë është regjistruar më 6 nëntor, në orën 22:55, në rrugën “Tode Dumba” në Kumanovë. Policia ka ndaluar një automjet të tipit “Ford”, me targa të Kumanovës, të drejtuar nga I.A. (52). Testimi ka treguar se shoferi kishte 2.17 promilë alkool në gjak, ndërsa edhe ai është arrestuar.

Ndërkohë, rasti i tretë ka ndodhur po më 6 nëntor, në orën 21:52, në kryqëzimin e rrugëve “Mosha Pijade” dhe “Pirinska Makedonija” në Kumanovë.

Sipas policisë, N.Ѓ. (33) nga Kumanova, i cili drejtonte një automjet të tipit “Peugeot”, ishte përfshirë në një aksident trafiku. Pas testimit është konstatuar se ai kishte 1.55 promilë alkool në gjak, për çka është privuar nga liria.

Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të tri rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzimet përkatëse./tvfesta