KUMANOVË

Këshilltarët e AKI-së bojkotojnë festën e Kumanovës pas deklaratave të Maksim Dimitrievskit

Këshilltarët komunalë të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Kumanovë kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën solemne me rastin e festës së qytetit, në shenjë pakënaqësie ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski, raporton TVFesta.mk.

Përmes një reagimi publik, këshilltarët e AKI-së kanë bërë të ditur se vendimi për bojkot vjen si pasojë e asaj që ata e konsiderojnë mungesë respekti ndaj shqiptarëve, gjuhës shqipe dhe dinjitetit të tyre.

“Aty ku na luftojnë dhe nuk na respektojnë, nuk kemi çfarë kërkojmë. Aty ku synohet të përfitohet politikisht e jo të ndërtohet bashkëjetesë, nuk do të jemi pjesë. Aty ku nënçmohet gjuha jonë dhe cenohet dinjiteti ynë, prania jonë nuk mund të jetë dekor”, thuhet në reagimin e këshilltarëve.

Ata kanë drejtuar kritika ndaj kryetarit Maksim Dimitrievski, duke vlerësuar se deklaratat e tij i shërbejnë më shumë interesave dhe rejtingut partiak sesa bashkëjetesës dhe interesave të qytetarëve të Kumanovës.

“Pas deklaratave të Maksim Dimitrievskit, të cilat më shumë i shërbejnë rejtingut partiak sesa interesit të një qyteti multietnik, ne nuk do të marrim pjesë në seancën solemne”, theksojnë këshilltarët e AKI-së.

Përveç bojkotimit të seancës solemne, ata u kanë bërë thirrje edhe shqiptarëve të Kumanovës që t’i bashkohen bojkotit të festës së qytetit dhe të distancohen nga politikat dhe qëndrimet e Dimitrievskit.

“Nuk do të bëhemi dekor i askujt, e aq më pak i një kryetari që ka dështuar të ndërtojë respektin dhe barazinë që i takojnë Kumanovës”, thuhet më tej në reagim.

Në fund të deklaratës, këshilltarët e AKI-së theksojnë se respekti, barazia dhe dinjiteti janë parime mbi të cilat nuk mund të bëhen kompromise.

“Respekti nuk negociohet, dinjiteti nuk dhurohet dhe prania jonë nuk është për zbukurimin e askujt!”, përfundon reagimi i tyre. /tvfesta