KUMANOVË

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, viziton Muzeun e Kumanovës

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka realizuar sot një vizitë pune në Institucionin Kombëtar Muzeu i Kumanovës, ku është njohur nga afër me veprimtarinë e institucionit, kushtet e punës dhe aktivitetet që zhvillohen në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, informon tvfesta.mk.

Gjatë qëndrimit në muze, ministri Sulejmani ka vizituar hapësirat e punës dhe është takuar me punonjësit e institucionit, duke shprehur interesim për angazhimin e tyre profesional dhe sfidat me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrave të përditshme.

I shoqëruar nga drejtori i Muzeut të Kumanovës, Agim Bislimi, ministri ka vizituar edhe ekspozitën e përhershme muzeore, ku është njohur me pasurinë kulturore, historike dhe etnologjike që ruhet dhe prezantohet në këtë institucion.

Vizita ka shërbyer gjithashtu si mundësi për të diskutuar mbi nevojat dhe sfidat e muzeut, si dhe për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së mëtejshme institucionale në drejtim të avancimit të veprimtarisë muzeore dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Nga Muzeu i Kumanovës theksojnë se institucioni mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për ruajtjen, promovimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore, me synimin që kjo pasuri të përcillet dhe të mbetet e qasshme edhe për brezat e ardhshëm. /tvfesta