Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, në kuadër të vizitës së punës në Kumanovë, vizitoi Xhaminë “Koxha Mehmed Beu” në fshatin Tabanoc, së bashku me myftiun e Kumanovës, Abedin Imeri, dhe drejtorin e Qendrës Nacionale të Konservimit, Aleksandar Jordanoski. Gjatë vizitës u theksua nevoja për kujdes të veçantë ndaj këtij objekti nga periudha osmane, i shpallur trashëgimi kulturore me rëndësi në vitin 2008, raporton Televizioni FESTA.
Sulejmani u informua se Myftinia e BFI-së në Kumanovë ka përfunduar fazën e parë të punimeve në xhami, e cila përfshiu pastrimin e hapësirës së jashtme dhe shënimin e kufijve të oborrit të xhamisë. Fazat e mëtejshme po vijojnë në koordinim me institucionet përkatëse.
Projekti për këtë xhami do të jetë pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2027, në kuadër të angazhimit për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Pas vizitës, ministri u takua me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, me të cilin diskutoi për gjetjen e një zgjidhjeje për ndërtimin dhe rregullimin e rrugës hyrëse drejt xhamisë. Marrëveshja për blerjen e tokës për këtë rrugë tashmë është nënshkruar, duke krijuar bazën për hapat e mëtejshëm drejt përmirësimit të qasjes në këtë objekt.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore përmes bashkëpunimit me pushtetin lokal, Myftininë dhe institucionet profesionale përkatëse.

