KF Bashkimi 1947 nga Kumanova do të përballet të hënën, më 2 nëntor 2026, me KF Arsimin, në një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme për të dyja skuadrat, veçanërisht për kumanovarët që synojnë të largohen nga zona e rrezikut për rënie nga Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut, informon tvfesta.mk
Takimi i vlefshëm për xhiron e 12-të të kampionatit do të zhvillohet në stadiumin “Bashkimi 1947” në Kumanovë, me fillim nga ora 14:00.
Bashkimi aktualisht renditet në pozitën e nëntë të tabelës me vetëm 7 pikë të grumbulluara, ndërsa Arsimi ndodhet një pozitë më lart, në vendin e tetë, me 10 pikë. Diferenca prej vetëm tri pikësh e bën këtë përballje tepër të rëndësishme në luftën për mbijetesë në elitën e futbollit vendor.
Një fitore eventuale e Bashkimit do t’i barazonte dy skuadrat me nga 10 pikë dhe do t’u jepte kumanovarëve mundësinë të përmirësojnë pozitën në renditje, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt largimit nga zona e rrezikut.
Për skuadrën kumanovare, kjo përballje konsiderohet një mundësi e rëndësishme për të rikthyer besimin dhe për të siguruar pikë të vlefshme në vazhdim të kampionatit.
Përmes njoftimit të publikuar, KF Bashkimi 1947 ka paralajmëruar takimin e radhës, duke ftuar tifozët të jenë pranë skuadrës në këtë sfidë të rëndësishme.
Me moton e njohur “Kumanova një e ka!”, klubi synon mbështetjen e tifozëve bardhezi-jeshilë, të cilët pritet të jenë një faktor i rëndësishëm në tribuna.
Ndeshja Bashkimi – Arsimi pritet të sjellë rivalitet dhe emocione, pasi të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë, ndërsa për vendasit rezultati mund të ketë peshë të veçantë në vazhdim të garës për mbijetesë në Ligën e Parë. /tvfesta

