KUMANOVË

Ansambli “Bajram Shabani” Kumanovë do të shënojë 81-vjetorin me një mbrëmje artistike më 7 nëntor

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova do të shënojë 81-vjetorin e themelimit me një program të veçantë artistik, duke sjellë para publikut një mbrëmje të mbushur me këngë, valle dhe tradita shqiptare, informon tvfesta.mk

Manifestimi do të mbahet të shtunën, më 7 nëntor 2026, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, me fillim nga ora 19:00.

Përmes një njoftimi publik, Ansambli “Bajram Shabani” ka ftuar qytetarët, artdashësit dhe të gjithë dashamirët e folklorit shqiptar që të bëhen pjesë e kësaj feste të rëndësishme kulturore.

“81 vjet – një histori që këndohet, një traditë që vallëzon, një krenari që nuk shuhet!”, thuhet në mesazhin e ansamblit, përmes të cilit theksohen dekadat e përkushtimit në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Për më shumë se tetë dekada, Ansambli “Bajram Shabani” ka qenë një emër i rëndësishëm i jetës kulturore shqiptare në Kumanovë, duke kontribuar në ruajtjen e këngëve, valleve dhe vlerave tradicionale që përcillen nga brezi në brez.

Ky përvjetor nuk shënon vetëm një vit të rëndësishëm për ansamblin, por edhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Kumanovë dhe më gjerë.

Organizatorët premtojnë një atmosferë festive dhe një mbrëmje të veçantë artistike, ku në qendër do të jenë tradita, kultura dhe identiteti kombëtar.

“Kjo festë është edhe e juaja! 81 vjet histori, 81 vjet traditë, një zemër që rreh për kulturën!”, thuhet më tej në ftesën e ansamblit.

Ansambli “Bajram Shabani” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në këtë ngjarje, për të festuar së bashku 81 vite veprimtari artistike dhe përkushtim ndaj kulturës shqiptare.

Televizioni Festa Kumanovë, në bashkëpunim me Ideal Film’s, do të mundësojë transmetimin e drejtpërdrejtë të këtij manifestimi, duke sjellë atmosferën festive dhe programin artistik pranë të gjithë shikuesve që nuk do të kenë mundësi të jenë fizikisht të pranishëm. /tvfesta.mk