Një ngjarje tronditëse e keqtrajtimit dhe neglizhimit të kafshëve është regjistruar në Kumanovë. Qeni i racës Sfefer (Gjerman) i quajtur Luna është shpëtuar nga një pishinë e braktisur me thellësi prej 3 deri në 5 metra, ku dyshohet se ka qëndruar i bllokuar për pothuajse dy vite, raporton tvfesta.mk
Sipas shoqatës për mbrojtjen e kafshëve “Animal Rescue Project”, Luna ka qenë e ekspozuar ndaj kushteve ekstreme të motit — nxehtësisë, të ftohtit, shiut dhe borës. Ndihma e vetme gjatë kësaj periudhe ka qenë nga disa banorë lokalë, të cilët herë pas here i ulnin ushqim dhe ujë me litar.
Pas një aksioni të ndërlikuar shpëtimi, qeni është dërguar me urgjencë në një klinikë veterinare në gjendje kritike për jetën. Luna peshon vetëm 10 kilogramë, është jashtëzakonisht e dehidruar, e rraskapitur dhe me rrezik të lartë për jetën.
“Arritëm ta nxjerrim Lunan nga gropa e betonit ku kaloi pothuajse dy vite. Tani po luftojmë me të gjitha forcat për t’i mbajtur jetën”, deklaruan nga shoqata.
Gjatë kontrollit me skaner, veterinerët zbuluan se Luna ka mikroçip dhe një pronar të regjistruar zyrtarisht, ndërsa mbetet ende e paqartë se si ka përfunduar ajo brenda në pishinë.
Shoqata i ka bërë thirrje urgjente Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për të hetuar plotësisht rastin dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore pronarin. /tvfesta

