KUMANOVË

Klubi Rotary dhuron 20 karroca invalidësh për Shtëpinë e Pleqve dhe Spitalin e Kumanovës

Klubi Rotary Kumanovë ka dhuruar 15 karroca të reja alumini për nevojat e shfrytëzuesve të Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë dhe cilësisë së jetës së tyre. Pjesa tjetër e pajisjeve prej 5 karrocash i është dedikuar Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, raporton tvfesta.mk

Ky donacion prej gjithsej 20 karrocash alumini të modelit “Vermeiren D-200” është siguruar përmes bashkëpunimit me Klubin Rotary Lublin Centrum nga Polonia, në kuadër të marrëveshjes trilaterale mes klubeve Rotary nga Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Sllovenia.

Drejtori i Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, Aleksandër Krstevski, shprehu falënderime për mbështetjen e dhënë:

“Ky donacion ndoshta financiarisht nuk është kaq i madh, sa është i nevojshëm për shfrytëzuesit tanë, me çka do të rrisim kapacitetet e institucionit tonë. Falënderojmë të gjithë rotarianët e Kumanovës që ndihmuan dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi edhe më shumë donacione të këtilla.”

Kryetari i Klubit Rotary Kumanovë, Oliver Temellkovski, sqaroi se nga rreth 40 banorë të shtëpisë së pleqve që kanë vështirësi në lëvizje, kjo ndihmë do të lehtësojë drejtpërdrejt përditshmërinë e tyre. Ai po ashtu rikujtoi se Klubi Rotary Kumanovë ekziston prej 16 vitesh dhe deri më tani ka realizuar rreth 40 projekte humanitare në ndihmë të komunitetit lokal, mjedisit dhe kategorive të ndjeshme.

Anëtari i klubit, Toni Loremski, falënderoi partnerët nga Polonia për realizimin e këtij projekti, marrëveshja e të cilit u nënshkrua në maj të këtij viti, ndërsa nga klubi njoftuan se do të vazhdojnë me aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen. /tvfesta