KUMANOVË

Këshilltari i AKI-së, Huzeir Mustafa: Vendimi për shtrenjtimin e transportit dëmton direkt qytetarët

Debatet rreth transportit publik në Kumanovë kanë marrë përmasa të reja politike. Gjatë një mbledhjeje të Këshillit Komunal, këshilltari nga radhët e AKI-së, Huzeir Mustafa, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit komunal dhe udhëheqëses së sektorit përkatës, duke u shprehur kundër propozimit për rritjen e çmimeve të biletave të autobusëve, raporton tvfesta.mk

​Mustafa e nisi fjalën e tij duke ironizuar me pozitat e administratës në mbrojtje të vendimeve të pafavorshme për qytetarët, duke theksuar se kur bëhet fjalë për vendime popullore, lavdimet i merr kryetari, ndërsa barra për të arsyetuar masat e dëmshme u mbetet drejtorëve dhe sektorëve.
​
​Pika kryesore e fjalimit të tij u fokusua te kontrasti mes fushatës zgjedhore të vitit të kaluar dhe realitetit të tanishëm. Këshilltari i AKI-së kujtoi se pika e parë e platformës zgjedhore të kryetarit aktual ishte pikërisht vazhdimimi i transportit publik falas, një premtim që sipas tij ndikoi drejtpërdrejt në vullnetin e qytetarëve, veçanërisht në zonat rurale.

​”Zgjedhjet kanë mbaruar para një viti… Në vend që qytetarët të shfrytëzojnë një të mirë që u ishte premtuar, masa jo vetëm që u ndërpre, por tani kemi propozim për rritjen e çmimeve të transportit publik,” u shpreh Mustafa.

​Ai shtoi se sikur qytetarët të dinë se pas zgjedhjeve transporti do të futej në pagesë dhe çmimet e shërbimeve komunale do të rriteshin, rezultati zgjedhor dhe fitorja e kryetarit do të kishin qenë krejtësisht ndryshe.
​”Gjithçka e vjetër, vetëm çmimet të reja”
​Këshilltari i AKI-së ka ngritur gjithashtu çështjen e cilësimit dhe modernizimit të shërbimeve, duke theksuar se rritja e çmimeve nuk shoqërohet me ndonjë përmirësim të kushteve për udhëtarët.
​”Kur ngriten çmimet duhet të ketë edhe një arsyetim sa i përket modernizimit të transportit. Çka ofron Komuna e Kumanovës në këtë drejtim? Ne shohim autobusë të njëjtë, pa asnjë standard të ri… Është gjithçka e vjetër, vetëm çmimet janë të reja,” tha ai.

​Në fund të fjalimit të tij, Huzeir Mustafa konfirmoi qëndrimin e prerë të subjektit të tij se nuk do ta përkrahin këtë propozim, pasi vlerësojnë se vendime të tilla dëmtojnë rëndë buxhetin familjar të qytetarëve të Kumanovës. /tvfesta