LAJME

Sulejmani mesazh opozitës: Bllokimi i Ligjit për Përfaqësim është punë kundër interesave të shqiptarëve

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, gjatë pjesëmarrjes në podcastin “Fol” me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, ka dërguar kritikë të ashpër ndaj paralajmërimeve të opozitës për bllokimin e projektligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Sulejmani theksoi se çdo tentativë për bllokimin e këtij ligji përbën goditje direkte ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe parimeve bazë të Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendësministri u shpreh se deklaratat e opozitës me të cilat paralajmërohet bllokimi i kësaj zgjidhjeje ligjore janë të papagueshme dhe dëmtojnë drejtpërdrejt interesin kombëtar:

“Ajo që kurrsesi nuk mund ta kuptoj janë deklaratat e opozitës, të cilët me lehtësi thonë se do ta bllokojnë ligjin. Ata që e bllokojnë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat janë duke e bllokuar kombin shqiptar. Janë direkt kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe direkt kundër shqiptarëve,” u shpreh prerë Sulejmani.

Për të ilustruar rëndësinë e kësaj nisme legjislative, Sulejmani e krahasoi situatën me proceset e rëndësishme politike të së kaluarës, duke nëvizuar se si gjuha ashtu edhe përfaqësimi burojnë nga i njëjti dokument bazë.

“Nuk mundesh të jesh pro gjuhës, të jesh kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe prapë të dalësh në opinion e të shitesh patriot. Pesha është e njëjtë sepse të dyja burojnë nga e njëjta marrëveshje,” tha ai.

Në përmbyllje të kësaj teme, zëvendësministri Sulejmani i bëri thirrje opozitës që të lërë mënjanë inatet politike dhe zilinë partiake e t’i bashkohet mbështetjes së këtij ligji.

“Uroj që opozita të kthjellet, të mos ketë zili pse VLEN po ofron zgjidhjet që ato nuk i kanë bërë prej viteve me radhë. Të tregohen pak më bashkëpunues, ta kuptojnë peshën e ligjit për përfaqësim dhe ta përkrahin atë, e jo ta bllokojnë,” përfundoi Sulejmani.