Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër lidhur me seancën e nesërme të Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të shqyrtohet një rregullore e publikuar në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, informon tvfesta.mk
Ademi ka rikujtuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve, Ligji për publikimin e ligjeve dhe Amendamenti V i Kushtetutës obligojnë në mënyrë taksative që aktet zyrtare të botohen në dy gjuhë.
“Nëse Gjykata vendos të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së këtij akti, atëherë goditja ndaj gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare do të jetë e madhe. Sepse, pas një vendimi të tillë, krijohet bazë që aktet në Gazetën Zyrtare të publikohen vetëm në maqedonisht dhe, megjithatë, të mbeten në fuqi”, deklaroi Ademi.
Sipas tij, një vendim i tillë do të ishte skandaloz, në kundërshtim me Kushtetutën dhe do të përbënte një precedent absurd juridik.
“Prandaj po apelojmë sot, që nesër të mos jetë vonë. Nesër, sytë të gjithë te Gjykata Kushtetuese”, ka përfunduar Ademi.

