Drejtori i gjeneral i Postave të Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka reaguar ashpër ndaj dukurisë së mospjesëmarrjes në punë dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare brenda këtij institucioni publik, duke bërë të qartë se koha e privilegjeve pa përgjegjësi ka marrë fund, raporton tvfesta.mk
Kurtishi theksoi se marrja e pagës kërkon prani dhe përkushtim në vendin e punës, duke kritikuar praktikat e trashëguara nga e kaluara. Ai drejtoi gishtin nga BDI-ja si përgjegjëse për instalimin e kësaj logjike funksionimi, ndërsa nënvizoi se koalicioni VLEN po vendos rend dhe llogaridhënie.
“Njeriu duhet të bindet se nuk bën të vjedhë veten. Për të marrë rrogën, duhet të vish në punë. Për të ardhur në punë, duhet ta dish se ke zënë një vend ku dikush tjetër ka nevojë për atë punë. Nuk shkon kjo punë: edhe patriot, edhe hajdut. E më e keqja është kur e bind veten t’i besosh rrenës tënde,” deklaroi Kurtishi, përcjell tvfesta.
Kreu i Postës shtoi se përplasja nuk është me koalicionin në pushtet, por me modelin e vjetër të qeverisjes.
“Nuk është problemi VLEN-i pse po jua ndal këtë hov. Problemi është BDI-ja, e cila ju ka mësuar të silleni kështu. Koha e privilegjeve pa përgjegjësi duhet të marrë fund. Patriotizmi nuk matet me fjalë, por me punë, përgjegjësi dhe respekt ndaj vendit të punës,” përfundoi ai. /tvfetsa

