Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027 në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku u është drejtuar studentëve të rinj.
“Sot pata kënaqësinë që, në cilësinë e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, të jem pjesë e ceremonisë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027 në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Në praninë e Rektorit, Prof. Dr. Bekim Fetaji, profesorëve dhe stafit akademik, studentëve, prindërve dhe të ftuarve, pata nderin t’u drejtohem studentëve të rinj në ditën kur nisin një nga rrugëtimet më të rëndësishme të jetës së tyre.
U përcolla një mesazh të thjeshtë: universiteti nuk është vetëm vendi ku merret një diplomë, por vendi ku ndërtohet dija, karakteri dhe e ardhmja profesionale.
I inkurajova studentët të mos kenë frikë nga sfidat, të mos dorëzohen përballë vështirësive, të bëjnë pyetje, të kërkojnë përgjigje, të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të besojnë në potencialin e tyre.
Bota po ndryshon me shpejtësi dhe brezi i ri do të ketë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e vendit tonë. Prandaj, krahas dijes akademike, kemi nevojë për të rinj me integritet, përgjegjësi, kreativitet dhe vizion.
Diploma mund të hapë një derë, por dija, puna, karakteri dhe gatishmëria për të mësuar vazhdimisht janë ato që ndërtojnë një të ardhme të suksesshme.
Të dashur studentë, sot nis një kapitull i ri për ju. Ecni përpara me guxim, punoni me përkushtim dhe mos ndaloni së besuari në ëndrrat tuaja.
Ju uroj një vit akademik të mbarë, shumë suksese, dije, miqësi të bukura dhe një rrugëtim për të cilin një ditë do të jeni krenarë!
Urime fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027!
Suksese dhe mirë se vini në jetën universitare!”, ka shkruar Sulejmani.

