Në Kumanovë u mbajt aktiviteti preventiv-edukativ „Semafori i Fëmijëve 2026“, i dedikuar sigurisë së çiklistëve më të vegjël në trafik, informon tvfesta.mk
Aktiviteti u organizua nga Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë dhe Këshilli Komunal për Parandalim. Në një poligon të veçantë, fëmijët patën mundësinë të njihen praktikisht me rregullat për pjesëmarrje të sigurt në trafik me biçikletë.
Në poligon u vendosën pengesa të ndryshme, semaforë, shtigje dhe një pjesë për ngasje rrethuese (rrethrrotullim), përmes të cilave pjesëmarrësit më të vegjël mësuan si të sillen drejt dhe të respektojnë rregullat e trafikut gjatë ngasjes së biçikletës.
Rreth realizimit të këtij aktiviteti kontribut të madh dha edhe Stacioni Policor për Sigurinë në Trafikun Rrugor, zyrtarët e të cilit i udhëzonin fëmijët përgjatë shtegut dhe u shpjegonin se si të reagonin ndaj shenjave të trafikut dhe situatave me të cilat mund të ndeshen në lëvizjen e përditshme.
Ngjarja tërhoqi një numër të madh të çiklistëve të rinj, prindërve dhe qytetarëve, me ç’rast u dërgua edhe një herë mesazhi për rëndësinë e edukimit me kohë të më të vegjëlve për sigurinë në trafik.
Udhëheqësja e Sektorit për Parandalim, M.Sc. Lile Mlladenovska, theksoi se siguria e pjesëmarrësve më të rinj në trafik mbetet një nga prioritetet kryesore.
„Prioritet i yni është siguria e pjesëmarrësve më të rinj në trafik. Edhe në të ardhmen do të organizojmë ngjarje të tilla edukative-sportive, me qëllim që fëmijët të mësojnë me kohë dhe të krijojnë shprehi për respektimin e rregullave të trafikut“, deklaroi Mlladenovska.


