Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i ka dhënë fund aludimeve dhe spekulimeve të ditëve të fundit rreth një rikthimi të mundshëm në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Përmes një postimi publik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mexhiti u është drejtuar mbështetësve të tij, duke theksuar se rruga dhe vendimet e tyre janë marrë gjithmonë bashkë dhe se parimet e vendosmëria mbeten të palëkundura, informon tvfesta.mk
Duke u bërë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të qëndrojnë të qetë, ai ka nënvizuar se fjalët dhe kalkulimet e ndryshme nuk mund ta devijojnë rrugëtimin e tyre të përbashkët, i cili mbetet i përqendruar te kauza dhe puna për të mirën e qytetarëve.
Më poshtë gjeni mesazhin e plotë të Izet Mexhitit:
> “Të dashur bashkëudhëtarë të rrugëtimit tonë,
> Siç e dini, vendimet gjithmonë i kam marrë bashkë me Ju. Çdo vendim, sado i thjeshtë apo i vështirë, e kemi diskutuar gjërë e gjatë dhe në fund së bashku kemi vendosur.
> Kur kemi vendosur, unë dhe Ju, i kemi qëndruar me fanatizëm deri në fund çdo beteje, i kemi qëndruar besnik parimeve dhe qëndrimeve tona!
> Spekulimet nuk mund të përcaktojnë rrugën tonë të përbashkët. Le të flasin. Le të shkruajnë. Le të kalkulojnë. Ne kemi para vetes kauzën tonë. Sepse ia VLEN të punojmë me vendosmëri për një qëllim të vetëm: të bëjmë më të mirën për qytetarët.
> Rrini rahat!
> Nga Amerika e lirisë, përzemërsisht, Izeti!”/tvfesta

