MAQEDONI

TAKIM I DREJTORIT TË SHKOLLËS PËR ARSIM TË MESËM “MEDRESEJA ISA BEU” ME ZËVENDËSMINISTRIN E ARSIMIT DHE SHKENCËS

Sot u zhvillua një takim pune ndërmjet drejtorit të SHAM “Medreseja Isa Beu” – Shkup, Dr. Islam Islami, dhe zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Driton Sulejmani.

Gjatë takimit u diskutua për çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejmë të SHAM “Medreseja Isa Beu”, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucionit arsimor dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në veçanti, u bisedua për avancimin e procesit edukativo-arsimor, përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, zhvillimin e kapaciteteve të shkollës, si dhe për çështje administrative dhe institucionale që kanë të bëjnë me arsimin e mesëm.

Drejtori Dr. Islam Islami e falënderoi zëvendësministrin Sulejmani për gatishmërinë për bashkëpunim dhe për mbështetjen institucionale, duke shprehur pritshmërinë që komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë të vazhdojë edhe në të ardhmen, në interes të nxënësve dhe të avancimit të arsimit.

Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe me përkushtim të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.