LAJME

Sot nisi viti i ri shkollor: Rreth 14.500 nxënës për herë të parë në banka

Viti i ri shkollor nisi sot për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni. Për rreth 14.500 nxënës të klasave të para, 1 shtatori shënoi ditën e tyre të parë në bankat shkollore, mes mësuesve, shokëve të rinj të klasës dhe një mjedisi të ri arsimor.

Numri i nxënësve të klasës së parë ende nuk është përfundimtar, pasi regjistrimet plotësuese do të zgjasin deri në fund të shtatorit. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se pas përfundimit të afatit të regjistrimit pritet që numri i nxënësve të klasës së parë të jetë të paktën 3.000 më i ulët krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Rënia e numrit të nxënësve do të ndikojë edhe në organizimin e mësimit. Për vitin shkollor 2026/2027 pritet të ketë rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 më pak në arsimin e mesëm.

Gjithashtu, është paralajmëruar mbyllja e 26 shkollave rurale, në të cilat nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë. Në disa prej këtyre shkollave deri më tani mësimin e kanë ndjekur vetëm nga pesë deri në tetë nxënës.

Numri përfundimtar i nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm që e nisën mësimin sot ende nuk është publikuar. Sipas të dhënave të fundit të plota të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2025/2026, në arsimin fillor të rregullt ishin regjistruar 174.040 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm 67.540, ose gjithsej 241.580 nxënës.

Në klasën e parë vitin e kaluar shkollor ishin regjistruar 17.921 nxënës. Në krahasim me shifrën aktuale prej rreth 14.500 nxënësish të klasës së parë, këtë vit vërehet një rënie e ndjeshme, ndërsa diferenca përfundimtare do të dihet pas përfundimit të regjistrimeve plotësuese.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se tekstet shkollore janë shpërndarë dhe tashmë ndodhen nëpër shkolla. Sipas kalendarëve për organizimin e punës së shkollave fillore dhe të mesme publike, mësimi nisi sot, më 1 shtator.

Me fillimin e vitit shkollor, drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar pranë shkollave, vendkalimeve të këmbësorëve dhe stacioneve të autobusëve, ku tashmë ka një prani dukshëm më të madhe të fëmijëve.