KUMANOVË

LSDM: Përçarjet në pushtet lënë shkollat e Kumanovës pa programe

Këshilltarët e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja theksojnë se ndërprerja e sotme e seancës së Këshillit të Komunës së Kumanovës është rezultat i mospajtimeve mes partive të koalicionit të shumicës qeverisëse rreth miratimit të programeve të punës për shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Kumanovës, e jo për shkak të mungesës së kuorumit, informon tvfesta.mk

Në komunikatën e dërguar për mediat, nga LSDM-ja theksojnë se mospajtimet brenda koalicionit janë në dëm të qytetarëve.

„Për shkak të dilettantizmit në udhëheqjen e qytetit nga ana e shumicës, nesër shkollat fillore dhe të mesme do ta fillojnë vitin shkollor pa programe dhe raporte pune të miratuara. Kur interesi personal dhe partiak vihet mbi interesin e përgjithshëm të qytetarëve, shpërngulja e banorëve do të vazhdojë, e bashkë me të edhe ulja e numrit të fëmijëve. Është e turpshme që shumica, me mosmarrëveshjet e saj brenda koalicionit — në një kohë kur komuna po shënon prapambetje dhe procesi arsimor përballet me një sprovë të rëndë — ta mbajë peng të gjithë qytetin dhe veçanërisht shkollat për shkak të pazareve politike. A do të vazhdojnë këto mospajtime ta krijojnë ambientin shoqëror në Kumanovë edhe në të ardhmen? A mendon fare kjo koalicion për qytetarët?“, thuhet në komunikatë.

Sot u ndërpre seanca e 17-të e Këshillit të Komunës së Kumanovës, pikërisht në momentin kur duhej të votohej për programet e shkollave fillore dhe të mesme të komunës.

„Kryetarja e Këshillit, Ivana Gjorgjievska, e arsyetoi ndërprerjen e seancës me mungesën e kuorumit, gjë që nuk është e vërtetë. Kuorum kishte, ashtu siç kishte edhe përçarje koalicioni brenda shumicës“, pretendojnë nga opozita në Këshill./tvfesta