MAQEDONI

BDI shënon 25-vjetorin e Marrëveshjes paqësore të Ohrit

Tradicionalisht edhe këtë vit nën patronazhin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, do të shënohet 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

Në kuadër të programit, siç thonë nga BDI, do të prezantohet një film dokumentar me ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2001 dhe procesin që çoi drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Një pjesë e rëndësishme do t’i kushtohet angazhimit të madh të botës perëndimore dhe komunitetit ndërkombëtar, i cili luajti rol vendimtar në ndërmjetësimin dhe arritjen e zgjidhjes politike e paqësore.

“Lufta e vitit 2001 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit morën gjithashtu mbulim të gjerë nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, duke e vendosur krizën e Maqedonisë në vëmendjen e opinionit publik botëror”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Pjesë qendrore e programit do të jetë paneli i diskutimit, me pjesëmarrjen e personaliteteve, protagonistëve dhe dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 2001.

“Marrëveshja e Ohrit do të trajtohet jo vetëm si ngjarje historike, por si një mësim për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duke u analizuar edhe pse ajo ishte zgjidhja më e mirë paqësore për përfundimin e luftës së vitit 2001. 25 vjet pas 13 Gushtit, kujtojmë historinë, analizojmë të tashmen dhe nxjerrim mësime për të ardhmen”, thonë në BDI.