Më shumë se një vit, eksponentët e VLEN-it kanë nxjerrë në opinion idenë e bashkimit apo shkrirjes në një subjekt politik. Ky proces, përveç se po zë hapësira të konsiderueshme mediatike dita ditës, po nxjerr në pah edhe përçarjet e mëdha që ekzistojnë brenda këtij koalicioni. Në fakt, ky publicitet i gjoja shkrirjes së disa grupacioneve politike në një subjekt të vetëm bëhet me qëllim që të defokusohet opinioni nga dështimet e tyre brenda qeverisë.
Të gjendur të pafuqishëm përballë VMRO-së, të nënçmuar çdo ditë nga ZNAM-i, të koritur nga tekat e Stoilkoviçit dhe të Filkovit, të hutuar nga këto lloj situatash, eksponentët e VLEN-it dëshirojnë dhe tentojnë që bashkimin e tyre ta paraqesin si diçka shumë të madhe, sikur të ishin duke bërë Bashkimin Kombëtar.
Por procesi i shkrirjes më shumë duket si proces i copëtimit, sepse pjesa më e madhe e tyre janë figura politike që gjithmonë bëjnë shumëzime matematikore, ku rezultati duhet të jetë vetvetja e tyre. Ata nuk e durojnë njëri-tjetrin, sepse egoja dhe dëshira e madhe për pushtet ua nxjerr në shesh qëllimet e vërteta.
I shihni se flasin për bashkim, Lëvizja Besa bëhet copa, Lidhjes Demokratike dita ditës i largohen eksponentë dhe themelues, te këta të tjerët në mëngjes njëri thotë jam kryetar, në mbrëmje tjetri thotë unë jam kryetar. Njëri thërret Kuvend, i cili nuk ekziston, sepse dihet botërisht se si formohet kuvendi dhe organet e partisë. Pra, kemi të bëjmë me një grumbull njerëzish të lidhur me pushtetin, që mblidhen dhe gjoja votojnë diçka, ndërsa tjetri thotë se votojnë kot, sepse ata kanë dy deputetë të tregtuar dhe vendosin ata për fatin e tyre në VLEN.
Alternativa vështron me kujdes, duke parë se cilat pozicione mund t’i marrë në subjektin e ri, sepse, për hir të së vërtetës, janë mjaft profesionistë në këtë drejtim.
Në gjithë këtë tollovi përfiton VMRO-ja, e cila shtrin pushtetin dhe ndikimin e saj në çdo segment, ndërsa humbin me të madhe shqiptarët, të cilët kanë mbetur jetimë dhe të papërfaqësuar.
Përfundimisht, bashkohuni sa më shpejt dhe filloni të punoni, ose lëshoni rrugë, sepse, siç e kam thënë më herët, jeni duke krijuar një subjekt politik dhe nuk jeni duke bërë Bashkimin Kombëtar.

