KUMANOVË

Nisu apo ndalo? Semaforët e çuditshëm që po çmendin shoferët në Kumanovë

Një qytetar nga Kumanova ka reaguar publikisht për gjendjen e semaforëve në një nga udhëkryqet më të frekuentuara në qytet, pranë Tregut të Gjelbër, duke e cilësuar situatën si “absurde” dhe të rrezikshme për shoferët dhe këmbësorët.

Bekim Saliu thotë se fotografia e publikuar është reale dhe pasqyron gjendjen në qendër të qytetit, jo në ndonjë rrugë anësore.

“Këtu shteti nuk po teston respektimin e ligjit, por refleksin, fatin dhe durimin e qytetarit”, shprehet ai.

Sipas tij, problemi kryesor janë semaforët, të cilët, në vend që të rregullojnë qarkullimin, po krijojnë konfuzion.

“Kulmi i absurdit janë semaforët. Në vend që të sjellin rregull, krijojnë kaos. Të thonë ‘ndalu’ dhe ‘ec’ njëkohësisht – ose ‘ec’ dhe ‘ndalu’. Merre si të duash, por nëse lëviz je fajtor, nëse ndalon prapë je fajtor”, deklaron Saliu.

Ai ngre shqetësim edhe për sistemin e kamerave Safe City, që sipas tij, ndëshkon qytetarët për situata të krijuara nga vetë infrastruktura e paqartë.

“Mbi kokë i ke kamerat e Safe City, gati të të ndëshkojnë për konfuzionin që vetë sistemi ta ka krijuar”, thekson ai.

Saliu vlerëson se funksionaliteti i shtetit matet pikërisht në situata të tilla të përditshme.

“Maqedonia bëhet shtet funksional atë ditë kur sistemi fillon t’i shërbejë qytetarit, jo ta presë në pritë në çdo qoshe”, shprehet ai.

Në fund, ai e përshkruan situatën si përpjekje për “rregull evropian mbi infrastrukturë që nuk ekziston”.

“Është njësoj si të ndërtosh ashensor në një shtëpi njëkatëshe, pa bodrum”, përfundon Bekim Saliu.(INA)