Reagimi i dytë nga ne, këshilltarët e BDI-së në Kumanovë
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, kryetari i komunës nuk është prononcuar as në profilin e tij personal në rrjetet sociale, as përmes ndonjë deklarate publike në media. Ai nuk ka ofruar asnjë sqarim për praninë e tij në këtë ngjarje dhe nuk ka dënuar fyerjet e rënda që iu drejtuan qytetarëve shqiptarë të këtij vendi. Mungesa e reagimit, qoftë edhe një kërkim falje ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë, është tejet shqetësuese.
Në vend që të reagojë qartë dhe pa mëdyshje, z. Dimitrievski është arsyetuar duke deklaruar se “nuk i kishte dëgjuar” këto brohoritje. Ky qëndrim është thellësisht i papranueshëm për një udhëheqës lokal të një qyteti me përbërje multietnike siç është Kumanova. Në rrethana të tilla, heshtja nuk është neutralitet është indiferencë ndaj gjuhës së urrejtjes dhe përçmimit që u bëhet qytetarëve shqiptarë.
Mosreagimi institucional, i ndjekur nga heshtja e kryetarit të komunës, dërgon një mesazh të rrezikshëm ,se fyerjet ndaj shqiptarëve tolerohen, ose edhe më keq, injorohen qëllimisht nga autoritetet lokale. Kjo minon kohezionin ndëretnik, besimin mes komuniteteve dhe vë në pikëpyetje sinqeritetin e përkushtimit institucional për bashkëjetesë.
Veçanërisht shqetësuese është selektiviteti i qasjes së z. Dimitrievski. Ndërsa në rrjetet sociale ka komentuar dhe uruar me krenari ngjarje të ndryshme sportive, ai ka zgjedhur të hesht përballë një ngjarjeje në të cilën shqiptarët u fyen publikisht dhe atë në prani të tij.
Kërkojmë që, në seancën e ardhshme të Këshillit Komunal, Kryetari i Komunës, z. Maksim Dimitrievski, të japë një sqarim publik për praninë e tij në këtë ngjarje dhe për mungesën e reagimit institucional ndaj thirrjeve fyese ndaj shqiptarëve. Të deklarojë qartë dhe pa ekuivok se dënon çdo gjuhë urrejtjeje, fyerje apo diskriminimi ndaj komunitetit shqiptar. Të ndërmarrë hapa konkretë dhe të dukshëm për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten dhe që respekti i ndërsjellë mes komuniteteve të jetë themel i bashkëjetesës në qytetin tonë.
Kumanova nuk mund të ecë përpara me standarde të dyfishta dhe me heshtje të qëllimshme ndaj fyerjeve publike që i drejtohen një komuniteti të tërë. Respektimi i qytetarëve shqiptarë nuk është çështje dëshire apo vullneti të mirë është një detyrim kushtetues dhe ligjor.
Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim – Kumanovë

