Sot shënojmë një jubile të veçantë, një kapitull të ndritur në historinë e medias sonë – 30 vjetorin e fillimit me punë të Televizionit të pavarur FESTA nga Kumanova.
Tre dekada më parë në një kohë sfidash dhe ndryshimesh të mëdha në proceset demokratike, lindi një ide e guximshme të krijohet një dritare e fjalës së lirë, një ekran që do ti shërbente qytetarit, kulturës ,ekonomisë, sportit, me një fjalë të vërtetës.
Që nga dita e par TV FESTA u bë më shumë se një media, u bë zë i komunitetit, pasqyrë e realitetit dhe ruajtjes së vlerave të identitetit tonë kombëtar. Gjatë këtyre 30 viteve, Televizion FESTA ka qenë dëshmitar i historisë sonë të përditshme, duke përcjellur gëzimet, sfidat, arritjet dhe sakrificat e qytetarëve të Kumanovës dhe më gjerë.
Me përkushtim, profesionalizëm dhe guxim TV FESTA ka ndërtuar ura komunikimi, ka edukuar breza dhe ka mbrojtur vlerat e gazetarisë profesionale duke ngritur një brezë të tërë gazetarësh, e operatorësh, me të cilët sot mburremi, kudo që sot ata veprojnë.
Në momentet më të vështira, në kohërat e luftërave tek ne dhe në rajon TV FESTA me profesionalizmin më të lartë, duke mos ndërprerë për asnjë ditë aktivitetin e vet, me kohë dhe në mënyrë objektive ka informuar opinionin e gjerë me të gjitha zhvillimet në terren dhe në skenën politike.
Sot, ndërsa festojmë këtë përvjetor të rëndësishëm, nderojmë të gjithë ata që kontribuan në këtë rrugëtim, gazetarë, moderator, kameramanë, operatorë, drejtues dhe bashkëpunëtorë, të cilët me punën e tyre të palodhur e bënë TV Festën një institucion të besueshëm dhe të respektuar për tri dekada me radhë.
Ky jubile nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës por një premtim dhe udhërrëfim për një të ardhme të ndritshme, një zotim se TV FESTA do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve, duke informuar me dinjitet, duke promovuar vlera në fushën e kulturës, ekonomisë e sportit si dhe duke qëndruar dinjitoz në informimin objektiv dhe me kohë.
Urime 30 vjetori, le të vazhdojë Festa të ndriçojë rrugën e informimit dhe të mbetet gjithmonë zëri I besueshëm I nënqiellit tonë.
Me Festën – Festë në çdo kohë.
Gëzuar 30 vjetorin!

