Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, përmes një letre publike drejtuar kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo çështje kërkon zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe jo përplasje politike, raporton tvfesta.mk.
Shasivari ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ka lindur me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë, por ka mbetur e pazgjidhur prej vitesh.
Sipas tij, që nga viti 2001, tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, as mbi gjuhën shqipe dhe as mbi të drejtat e shqiptarëve. Askush nuk ka të drejtë ta shndërrojë çështjen e barazisë së qytetarëve në pronë partiake”, ka deklaruar Shasivari.
Ministri ka theksuar se, si profesor universitar i drejtësisë me mbi 25 vjet përvojë, i njeh nga afër barrierat gjuhësore me të cilat janë përballur breza të tërë studentësh shqiptarë.
Ai ka bërë të ditur se zgjidhja e propozuar synon të harmonizojë gjithëpërfshirjen gjuhësore me standardet profesionale, ndërsa për këtë çështje kërkohet edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Shasivari ka njoftuar se më 27 nëntor, Ali Ahmeti do të ketë mundësinë që në Kuvend t’ua përcjellë vërejtjet e tij raportuesve të Komisionit të Venecias.
Ministri ka hedhur poshtë pretendimet se procesi përbën një marrëveshje të mbyllur politike apo përpjekje për kufizimin e të drejtave gjuhësore. Sipas tij, deri më tani janë zhvilluar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve, ndërsa procesi do të vazhdojë me përfshirjen e palëve të interesuara.
“Ne nuk do të bëjmë politikë me të drejtat e qytetarëve. Do t’i zgjidhim problemet që të tjerët i kanë lënë të pazgjidhura për dekada me radhë”, ka theksuar ministri.
Në përfundim të reagimit, Shasivari ka deklaruar se nuk do të lejojë që çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe të shndërrohet në garë partiake.
“Të drejtat nuk mbrohen me deklarata të bujshme politike, por me institucione funksionale, zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe zbatim konsekuent të ligjeve”, ka përfunduar ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari. /tvfesta

