Mbi 50 milionë denarë janë ndarë për mbështetjen e më shumë se 100 klubeve sportive shqiptare në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Kështu deklaroi zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, gjatë paraqitjes së saj në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa.
Sipas saj, mbështetja financiare është realizuar përmes mjeteve shtesë të lotarisë, duke marrë parasysh aktivitetet, rezultatet dhe sukseset e klubeve sportive.
“Kemi ndarë mbi 50 milionë denarë për mbi 100 klube shqiptare në krejt territorin e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Shaini.
Ajo theksoi se përfituesit janë përzgjedhur në bazë të kritereve dhe rezultateve të arritura gjatë vitit paraprak, ndërsa ndihma ka përfshirë klube nga Likova deri në Strugë.
Zëvendësministrja bëri të ditur se disa prej klubeve kanë përfituar për herë të parë mbështetje financiare nga shteti, ndërsa disa të tjera, sipas saj, kanë qenë në prag të mbylljes për shkak të mungesës së mjeteve.
Shaini kritikoi mënyrën e mëparshme të funksionimit të Agjencisë për Rini dhe Sport, duke vlerësuar se sistemi i vauçerëve nuk ka qenë mjaftueshëm transparent.
Ajo tha se me themelimin e Ministrisë së Sportit është vendosur një sistem i ri subvencionimi, ku mjetet transferohen drejtpërdrejt në llogaritë bankare të klubeve sportive.
Sipas saj, rezultatet e kësaj mbështetjeje tashmë janë të dukshme përmes aktivizimit të klubeve, organizimit të turneve dhe pjesëmarrjes së sportistëve në gara vendore e ndërkombëtare. /tvfesta

