Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka siguruar një aparat të ri bashkëkohor me ultratinguj (EHO) për Repartin e Neonatologjisë, në vlerë prej 5.074.000 denarësh, me qëllim përmirësimin e diagnostikimit dhe kujdesit shëndetësor për foshnjat e porsalindura, raporton tvfesta.mk.
Nga ky institucion shëndetësor bëjnë të ditur se investimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Aparati i ri EHO do t’u mundësojë ekipeve mjekësore zbulimin në kohë, vlerësimin dhe monitorimin më të mirë të gjendjes shëndetësore të të porsalindurve, veçanërisht gjatë ditëve të para të jetës.
Sipas drejtuesve të spitalit, pajisja pritet të rrisë kapacitetet diagnostikuese të Repartit të Neonatologjisë, duke krijuar njëkohësisht kushte më të mira pune për personelin mjekësor që kujdeset për foshnjat.
Vlera e aparatit të ri arrin në 5.074.000 denarë, ndërsa ky investim është pjesë e një furnizimi më të gjerë me pajisje mjekësore, vlera e përgjithshme e të cilit është 108 milionë denarë.
Ky furnizim është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës theksojnë se ditët e para të jetës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për çdo foshnjë, prandaj investimet në pajisje moderne për diagnostikim dhe kujdes neonatologjik mbeten një nga prioritetet e institucionit.
“Çdo jetë e re meriton kujdesin më të mirë të mundshëm”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Institucioni shëndetësor ka paralajmëruar vazhdimin e investimeve në modernizimin e shërbimeve, me synim ofrimin e kujdesit më cilësor dhe më të sigurt për pacientët. /tvfesta

