Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Kumanovë është organizuar një ekspozitë kolektive me 32 vepra të artistëve figurativë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut. Manifestimi është organizuar nga Shoqata “3D Street Art”, në bashkëpunim me artistë kumanovarë dhe artistë nga qytete të tjera, raporton tvfesta.mk.
Moderatori i kësaj mbrëmjeje artistike dhe kulturore, Emrah Bilalli, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi rëndësinë e artit si mjet komunikimi, bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Bilalli u shpreh se shënimi i Ditës së Alfabetit përmes artit figurativ është një mënyrë e veçantë për të promovuar jo vetëm gjuhën dhe identitetin kombëtar shqiptar, por edhe krijimtarinë artistike.
“Kjo datë e rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar është një rast i veçantë për të festuar jo vetëm gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare, por edhe krijimtarinë artistike si një nga format më të bukura të shprehjes sonë shpirtërore”, deklaroi Bilalli.
Ai bëri të ditur se në ekspozitë janë prezantuar 32 vepra të realizuara nga 32 artistë figurativë, të cilët përmes teknikave dhe stileve të ndryshme kanë sjellë krijimtarinë e tyre para publikut kumanovar.
Sipas tij, ekspozita përfshin piktura, skulptura, grafikë dhe fotografi artistike, duke ofruar një larmi shprehjesh dhe interpretimesh krijuese.
Një vëmendje të veçantë Bilalli i kushtoi pjesëmarrjes së artistëve nga komunitete të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një nga vlerat kryesore të ekspozitës, informon tvfesta.
“Arti është një gjuhë universale që i tejkalon dallimet dhe krijon ura komunikimi, bashkëpunimi e mirëkuptimi ndërmjet njerëzve”, theksoi ai.
Bilalli nënvizoi se organizimi i ekspozitave të tilla krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave, njohjen e kulturave të ndryshme dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet artistëve.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme të krijimtarisë artistike dhe krijimin e hapësirave ku artistët mund t’i prezantojnë veprat e tyre.
“Besojmë se arti meriton hapësirë, vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme, sepse përmes tij pasurohet jo vetëm jeta kulturore e një artisti, por edhe jeta e të gjithë qytetarëve”, u shpreh Bilalli.
Gjatë fjalimit, siç informon tvfesta ai falënderoi në mënyrë të veçantë profesorin universitar dhe artistin prof. dr. Burhan Ahmeti për kontributin e dhënë në organizimin e ekspozitës.
Mirënjohje shprehu edhe për Komunën e Kumanovës për mbështetjen e aktivitetit, si dhe për artistët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e tij, përfshirë Hakime Nasufi Rexhepin, Muhamed Idrizin, Naim Idrizin dhe Armend Ademin.
Në përmbyllje të fjalimit, Bilalli përcolli një mesazh për rëndësinë e artit në jetën shoqërore dhe kulturore.
“Arti nuk është vetëm ajo që ne e shohim me sy në aspektin vizual, por edhe ajo që e ndiejmë, përjetojmë dhe marrim me vete pas çdo takimi”, u shpreh ai.
Manifestimi u përmbyll me urime për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe festat e nëntorit, ndërsa ekspozita solli në një hapësirë të përbashkët krijimtarinë e 32 artistëve nga Maqedonia e Veriut. /tvfesta

