KUMANOVË

Zgjerohet rrjeti i ujësjellësit në Likovë, paralajmërohen ndërprerje të përkohshme të ujit

Ndërmarrja Komunale Publike “Penda” në Likovë ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për shtrirjen dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Likovë, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimit me ujë të pijshëm për banorët, raporton tvfesta.mk

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, punimet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa ekipet janë vazhdimisht të angazhuara në terren për realizimin e ndërhyrjeve dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues.

Nga NKP “Penda” bëjnë të ditur se gjatë realizimit të punimeve dhe kyçjes së amvisërive të reja në sistemin e ujësjellësit, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të fshatit.

Për këtë arsye, ndërmarrja u ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë mirëkuptim dhe durim deri në përfundimin e ndërhyrjeve teknike dhe realizimin e lidhjeve të planifikuara.

Punimet për zgjerimin e rrjetit synojnë të mundësojnë përfshirjen e amvisërive të reja në sistemin e furnizimit me ujë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Nga NKP “Penda” theksojnë se mbeten të përkushtuar në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për banorët e Likovës. /tvfesta