Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka zhvilluar sot (05.11.2026) një takim pune me drejtuesit e njësive të policisë dhe parandalimit pranë Sektorëve për Punë të Brendshme, ku janë diskutuar aktivitetet e deritanishme, prioritetet dhe masat për përmirësimin e punës policore në vend, raporton TVFesta.mk
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Sektorit për Punë Policore me Kompetenca të Përgjithshme, pranë Departamentit të Policisë së Uniformuar, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore, planifikimit të përbashkët dhe koordinimit të veprimtarive operative me masat parandaluese.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për një qasje më të organizuar dhe efikase në përballimin e sfidave të sigurisë, duke synuar identifikimin në kohë të rreziqeve dhe parandalimin e incidenteve që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Një ndër temat kryesore të takimit ishte edhe realizimi i trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët policorë të uniformuar. Këto trajnime përfshijnë aftësimin për dhënien e ndihmës së parë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, si dhe përgatitjen për ndërhyrje në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha.
Po ashtu, u theksua rëndësia e ngritjes së vazhdueshme profesionale të punonjësve të policisë, përgatitjes së tyre për situata të ndryshme në terren, respektimit të standardeve etike dhe ruajtjes së integritetit personal gjatë ushtrimit të detyrës.
Në këtë drejtim, përgjegjësi e veçantë iu është ngarkuar strukturave drejtuese, të cilat duhet të sigurojnë planifikimin, organizimin dhe mbikëqyrjen e trajnimeve, me qëllim rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit të shërbimeve policore.
Nga Byroja për Siguri Publike theksojnë se synimi i këtyre aktiviteteve është rritja e profesionalizmit dhe efikasitetit të policisë, identifikimi dhe parandalimi në kohë i rreziqeve të sigurisë, si dhe forcimi i besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Takimi u vlerësua si pjesë e përpjekjeve për avancimin e punës policore dhe ndërtimin e një shërbimi më profesional, të përgjegjshëm dhe më pranë nevojave të qytetarëve. /tvfesta



