LAJME

Hoxha: Fuqizimi i kapaciteteve inspektuese është kyç për mbrojtjen efektive të mjedisit jetësor dhe rrugën evropiane të vendit

Sot në Shkup u shënua përfundimi i një twining-projekti të rëndësishëm të BE-së, i dedikuar fuqizimit të kapaciteteve administrative për zbatimin e legjislacionit evropian në fushën e mjedisit jetësor.

Në këtë ngjarje mbajti fjalim ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, i cili përmblodhi rezultatet e arritura, sfidat dhe hapat e ardhshëm në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe zbatimit të rregulloreve mjedisore.

Ministri Hoxha theksoi se mbrojtja e mjedisit jetësor përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve, ajrin e pastër, ujin e shëndetshëm, ruajtjen e biodiversitetit dhe një të ardhme të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme, e jo vetëm një detyrim teknik apo kusht formal në rrugën tonë drejt integrimit evropian.

Gjatë periudhës së kaluar, përmes bashkëpunimit intensiv ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve evropianë nga Spanja dhe Greqia, është punuar me sukses në avancimin e procedurave dhe në ngritjen e njohurive dhe kapaciteteve të administratës dhe inspektorëve. Siç u theksua, ligjet janë të mira vetëm aq sa dimë dhe jemi në gjendje t’i zbatojmë në mënyrë efektive në terren.

Në këtë ngjarje u theksua se përfundimi i këtij projekti nuk shënon fundin e punës, por një pikënisje të re. Standardet evropiane në këtë fushë kërkojnë përkushtim afatgjatë, forcim të kontrollit inspektues, koordinim më të mirë ndërinstitucional dhe përfshirje aktive të të gjithë publikut. Përvojat e fituara dhe instrumentet e zhvilluara i mundësojnë shtetit që me më shumë vendosmëri t’u përgjigjet sfidave të përditshme mjedisore.

Në kuadër të fjalimit, u shpreh mirënjohje e sinqertë për ekipin e ekspertëve evropianë për përkushtimin e tyre, për të punësuarit në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe institucionet partnere për bashkëpunimin e tyre aktiv, si dhe për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup për mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe teknike.