Vandalizmi dhe shkatërrimi i sipërfaqeve të gjelbra në Kumanovë vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese. Përveç dëmtimit të drurëve në afërsi të tregut të qytetit, së fundmi janë shkatërruar dhe vjedhur edhe lulet e sapombjella në sheshin e qytetit, njoftojnë nga NP “Pastrim dhe Gjelbërim”, raporton tvfesta.mk
Nga kjo ndërmarrje kanë reaguar ashpër ndaj rasteve të përsëritura të vandalizmit, duke theksuar se kjo sjellje dëmton drejtpërdrejt fondet e investuara dhe mundin e punonjësve që angazhohen përditë për rregullimin dhe zbukurimin e qytetit.
“Kjo nuk është thjesht shkatërrim i luleve dhe fidanëve. Kjo është shkatërrim i pronës publike, i mjeteve të investuara nga qytetarët dhe i përpjekjeve tona për të pasur një Kumanovë më të bukur, më të pastër dhe më të gjelbër,” thuhet në deklaratën e ndërmarrjes.
Siç raporton tvfesta, nga NP “Pastrim dhe Gjelbërim” u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë ndërgjegje dhe t’i ruajnë hapësirat publike, duke kujtuar se gjelbërimi është pasuri e përbashkët dhe përgjegjësi e të gjithëve.
Gjithashtu, ndërmarrja kërkon nga institucionet kompetente:
Rritjen e mbikëqyrjes në zonat publike, Zbulimin e shpejtë të autorëve të këtyre veprave dhe ndërmarrjen e masave adekuate për sanksionimin e tyre ligjor.
Nga ndërmarrja shtojnë se sanimi i vazhdueshëm i dëmeve nuk mjafton për ta ndaluar këtë dukuri, ndaj kërkohet reagim konkret dhe përgjegjësi për dëmtimin e pronës publike.
Vlen të theksohet se lulet në sheshin e qytetit “Marshall Tito” ishin mbjellë vetëm pak ditë më parë, së bashku me 120 drurë frashëri.

