KUMANOVË

Në SHFK “Jeronim De Rada” në Çerkez, ligjëratë për parandalimin e gjuhës së urrejtjes mes nxënësve

Rëndësia e parandalimit të gjuhës së urrejtjes, respektimi i dallimeve dhe promovimi i komunikimit të përgjegjshëm ishin në fokus të ligjëratës edukative të organizuar në Shkollën Fillore Komunale “Jeronim De Rada” në Çerkez, në bashkëpunim me Sektorin për Preventivë në Kumanovë, raporon tvfesta.mk

Ligjërata, e dedikuar për nxënësit e ciklit të lartë, u realizua me angazhimin e inspektorit Ilaz Fetahi, përfaqësues i Sektorit për Preventivë, ndërsa në aktivitet morën pjesë edhe drejtoresha e shkollës, psikologia dhe defektologu.

Në kuadër të këtij aktiviteti u trajtuan çështje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve, me theks të veçantë në identifikimin dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes, bullizmit verbal, fyerjeve, përqeshjeve dhe konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve.

Siç informon tvfesta, vëmendje e posaçme iu kushtua rolit të komunikimit të respektueshëm, tolerancës dhe mirëkuptimit në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet nxënësve, si dhe rëndësisë së zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.

Inspektori Ilaz Fetahi u vlerësua për angazhimin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në realizimin e aktiviteteve parandaluese, të cilat synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë.

Nga drejtuesit e SHFK “Jeronim De Rada” u shpreh mirënjohje për bashkëpunimin me Sektorin për Preventivë në Kumanovë, duke theksuar rëndësinë e iniciativave të tilla në parandalimin e sjelljeve të papërshtatshme dhe krijimin e një klime pozitive në shkollë.

Aktiviteti përcolli mesazhin se luftimi i gjuhës së urrejtjes kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, mësimdhënësve, prindërve dhe vetë nxënësve, me qëllim ndërtimin e një mjedisi arsimor ku mbizotërojnë respekti, barazia, toleranca dhe siguria.

Nisma të tilla përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në edukimin qytetar të brezave të rinj dhe në promovimin e një kulture të dialogut, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. /tvfesta