Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, sot lirohet nga arresti shtëpiak, pasi skadon afati maksimal ligjor i paraparë për këtë masë.
Ndërkohë, mbrojtja e tij i ka dorëzuar gjykatës kërkesë për heqjen edhe të masave shtesë të kujdesit, ndërsa si garanci se ai do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale është ofruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 335.707 euro.
Artan Grubit, përveç arrestit shtëpiak, i është caktuar edhe masa e sekuestrimit të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.
“Propozim-aktakuza, mbi bazën e të cilit është regjistruar lënda penale, është dorëzuar më 13 gusht të vitit 2026. Në përputhje me nenin 470 të Ligjit për procedurën penale, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-aktakuzës. Për këtë arsye, siç është theksuar edhe më herët, dhe siç e ka theksuar edhe gjyqtari që e trajton lëndën, me fuqinë e ligjit masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026. Krahas masës së arrestit shtëpiak, ndaj të akuzuarit është caktuar edhe masë shtesë e kujdesit, gjegjësisht sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, e cila do të vazhdojë të vlejë edhe pas skadimit të afatit ligjor prej 60 ditësh. Sa i përket kësaj mase të kujdesit, mbrojtja i ka dorëzuar gjykatës propozim, me të cilin, në përputhje me nenin 150 të Ligjit për procedurën penale, kërkon heqjen e saj duke caktuar garanci. Konkretisht, mbrojtja ka ofruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 euro si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale. Pas ofrimit të garancisë, është formuar lënda, e cila i është dërguar për mendim prokurorisë publike kompetente. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të shqyrtojë propozimin dhe do ta informojë publikun”, informojnë nga Gjykata Themelore Penale, Shkup.
Edhe kryetarja e Gjykatës Penale, Daniela Dimovska, mbrëmë konfirmoi se ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga 13 tetor do të mbrohet në liri si i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”.
“E vetmja gjë që mund ta them me siguri është se, pavarësisht nga vendimi (i gjykatës), ai do ta presë atë në liri. Arrestit i Grubit i skadon afati më 13 tetor. Personi do ta ndjekë më tej procesin dhe do të mbrohet në liri”, tha Dimovska në një intervistë në një podkast.
Artan Grubi është i akuzuar në lëndën “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve. Aktakuza kundër tij dhe shtatë personave të tjerë është ngritur më 13 gusht të vitit 2026. Grubi, në gjykimin është deklaruar i pafajshëm.
Ish-zëvendëskryeministri, pas më shumë se 14 muajsh i paarritshëm për organet e ndjekjes penale, u kthye në vend në shkurt të këtij viti dhe u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë.

