Situata me zjarret në fshatin Strimë të Komunës së Likovës vazhdon të jetë kritike dhe mjaft dramatike. Flakët janë aktive prej katër ditësh, ndërsa banorët vendas dhe vullnetarët po përballen ditë e natë me këtë katastrofë natyrore, raporton tvfesta.mk
Përmes një apeli publik, kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Strimë, Sedat Demiri, njofton se falë angazhimit të palodhshëm të bashkëvendasve dhe ardhjes së bashkatdhetarëve nga Belgjika, kanë arritur të vënë nën kontroll dy vatra zjarri — atë mbi fshat dhe në anën lindore. Mirëpo, për shkak të terrenit të thyer malor dhe erërave të fortë, vatrat janë riaktivizuar vazhdimisht.
Siç informon tvfesta, sipas Demirit, vatra e tretë karshi fshatit po përhapet me intensitet të lartë dhe po paraqet rrezik direkt për depërtimin e flakëve në brendësi të fshatit nga pjesa e poshtme.
“Fshati Strimë dhe rrethina e tij kanë mbetur pothuajse tërësisht në mëshirë të fatit dhe të vullnetarëve. Vullnetarët në terren janë të rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht, ndaj kapacitetet tona për ta përballuar këtë situatë janë drejt fundit,” shkruan Demiri.
Mungesë e ndihmës institucionale
Në njoftim theksohet se përkundër kërkesave zyrtare të dërguara nga Komuna e Likovës, ndihma shtetërore ka qenë thuajse e papërfillshme:
Ndërhyrja nga ajri: Më 5 dhe 6 tetor ka vepruar vetëm një helikopter ushtarak për një kohë shumë të shkurtër, për t’u tërhequr më pas.
Heshtja e autoriteteve: Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk u është përgjigjur kërkesave të banorëve dhe nuk ka pasur asnjë intervenim serioz në terren.
Kryetari i fshatit u bën thirrje publike të gjithë qytetarëve, vullnetarëve dhe organizatave nga të gjitha fshatrat e qytetet që të mobilizohen urgjentisht me mjete dhe fuqi punëtore për të ndihmuar në shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e shtëpive. /tvfesta

