Studentët e programit studimor Kriminalistikë, pranë Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, zhvilluan një vizitë studimore në Entin Ndëshkues-Përmirësues Idrizovë.
Gjatë kësaj vizite, studentët u përqendruan në burgun e grave dhe në repartin e hapur për vuajtjen e dënimeve. Nën mentorimin e Prof. Dr. Mitasin Beqiri, ata patën mundësinë të njihen nga afër me aspektet praktike të sistemit penitenciar, duke përfshirë, kushtet e vuajtjes së dënimit dhe standardet e jetesës së të dënuarve, proceset e risocializimit dhe metodat e riintegrimit të personave në shoqëri, klasifikimin e personave të dënuar sipas shkallës së rrezikshmërisë dhe veprave penale, trajtimin profesional dhe etikën e punës brenda institucioneve korrektuese.
Vizita shërbeu si një urë lidhëse mes njohurive teorike të fituara në auditorë dhe realitetit praktik të institucioneve të drejtësisë penale.

