S’na duhen gjykatat, e kemi Albinin
Nuk na duhen prokurorë e gjykatës. Gjyqin dhe ndarjen e
drejtësisë për zyrtarët e dyshuar të Vetëvendosjes për keqpërdorime e
korrupsion e bën Albin Kurti. Ai dhe Dejona Mihali po “shpërndajnë” certifikata
të pastërtisë së figurës e të patriotizmit.
Imer Mushkolaj
Arrestimi i dy zyrtarëve të
Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe një biznismeni, nën
dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, ka bërë që kryeministri Albin
Kurti edhe një herë të marrë rolin e hetuesit, prokurorit e gjykatësit. Pa
nisur ende procesi nga organet e drejtësisë, ai nxitoi të jep verdiktin,
sikurse edhe në rastin e Nagip Krasiniqit. “Nuk ka kurrfarë korrupsioni e
keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e
saj”, tha Kurti në një adresim për qytetarët.
Jo veç Kurti, por edhe
zyrtarë të tjerë të Vetevendosjes, nuk ngurruan t’i mbrojnë të arrestuarit,
duke “siguruar” se ata nuk kishin bërë asnjë krim. Në adresimin e tij, Kurti
nuk e la pa u marrë edhe me “elitën e vjetër”. Ai goditi edhe organet e drejtësisë
dhe mediat.
“Humbësit i gjeni tek elita
e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat
e keqpërdorura për mbështetje të krimit… Përpjekjet e tyre për të ndryshuar
situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish-sistemin e kalbur e të
korruptuar”, sulmoi Kurti.
Pra, në këtë mënyrë,
kryeministri amnistoi nga përgjegjësia të dyshuarit për keqpërdorime dhe fajin
ua hodhi qeverisjeve të kaluara. Në vend që të bëjë thirrje për hetim të shpejtë
të rastit, ai zgjodhi të sulmojë, siç ka bërë edhe shumë herë të tjera. Ai
shfaqi besim të plotë në ministren e tij, ndonëse ajo gënjeu publikisht.
Në një konferencë për gazetarë,
Hajdari mohoi se ka të bëjë çfarëdoqoftë me biznesmenin e arrestuar, Ridvan
Muharremi. Por, avokati i Muharremit tha se klienti i tij është kontaktuar nga
ministria, për ta angazhuar si ndërmjetës për furnizimin e rezervave shtetërore
dhe se ishte takuar me ministren në zyrën e saj.
Nëse duhet besuar
ministres, atëherë pyetja bazike është: si mund të ndodh që ministria të
angazhojë një person “të panjohur” për të kontraktuar mallrat për rezerva shtëtërore?
Si u gjet Muharremi dhe pse pikërisht ai? Këtyre pyetjeve nuk iu ka dhënë përgjigje
ministrja. Mbase do t’iu jep prokuroria.
* * *
Përgjigje në plot dilema
nuk dha as ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kur doli para gazetarëve për
t’i njoftuar qytetarët se, në mungesë të një marrëveshjeje me shtëpitë botuese,
librat nuk do të shpërndahen nëpër shkolla, por qytetarët do t’i blejnë ato dhe
ministria do t’i rimbursojë.
Ministrja e bëri të ditur
lajmin veç dhjetë ditë para nisjes së vitit të ri shkollor. Dështimin e vet u
përpoq ta shesë si “reformë”, ndërkohë që bëhet fjalë veç për një improvizim.
Ministrja, sinonim i paaftësisë dhe paditurisë bashkë, tha se çmimet e librave
të ofruara nga shtëpitë botuese ishin të larta, andaj ato do të blihen nga
prindërit. Se me çfarë logjike librat me pakicë mund të blihen më lirë se me
shumicë, ajo nuk tregoi. Mbase ka zbuluar ndonjë formulë të re, të paparë dhe
të padëgjuar deri tash.
Dhe, kur reagimet ndaj
këtij paralajmërimi skandaloz vërshuan gjithandej, u gjet një zyrtare e
Vetëvendosjes, Dejona Mihali, e cila akuzoi e sulmoi të gjithë kritikët – që
nga shtëpitë botuese, te opozita dhe te mediat.
Nuk është hera e parë që
Mihali, koordinatore e komiteteve brenda Vetëvendosjes, sulmon dhe etiketon në
mënyrë të ulët kritikët e qeverisë dhe të Albin Kurtit. Nuk është hera e parë
që ajo shfaqet si “certifikuese e patriotizmit”, sipas kutit të partisë.
Gjithnjë sipas logjikës “kush nuk është me ne është me Serbinë, i paguar nga
Serbia e Rusia, i shitur te opozita e Prontos” e “margaritarë” të tjerë të
këtij lloji.
Edhe pse më shumë se dy
vjet në pushtet, Vetëvendosja për dështimet e veta po vazhdon të gjejë fajtorë
në të kaluarën. Edhe pse me fuqi politike mbi 50 për qind, pushteti nuk po
arrin t’i përmbush plot premtime që i ka dhënë. Dhe, më e lehta në këtë situatë
është të godasësh të gjithë armiqtë imagjinarë, të cilët janë aty, si “fajtorë
kujdestarë” për dështimet e qeverisë.