Zelensky në Stokholm: Konfirmohet dhurimi i aeroplanit Gripen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua në Suedi me kryeministrin Ulf Kristersson, familjen mbretërore dhe zyrtarë të tjerë të atij vendi.

Suedia braktisi politikën e saj të gjatë të mos-angazhimit ushtarak për të mbështetur Ukrainën me armë, dhe ndihma të tjera në luftën e saj kundër Rusisë, transmeton Telegrafi.

Qeveria thotë se Suedia ka ofruar rreth 1.7 miliardë euro mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë njësi artilerie Archer, tanke Leopard 2, automjete luftarake të këmbësorisë CV-90, granatahedhës, armë antitank, pajisje për pastrimin e minave dhe municione.

Edhe Suedia ka aplikuar për anëtarësim në NATO, por ende është në pritje të anëtarësimit në Aleancë.

“Sot ne sqaruam në detaje marrëveshjen tonë për prodhimin e përbashkët të automjeteve luftarake CV90 në Ukrainë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që CV90 e parë e prodhuar në Ukrainë të shfaqet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zelensky sot gjatë një takimi me kryeministrin suedez.

Më pas ai theksoi se kishin rënë dakord për një hap tjetër, shumë të rëndësishëm.

“U fol edhe për një tjetër makineri të fortë suedeze – aeroplanin Gripen. Kjo është krenaria e Suedisë. Dhe jam i sigurt se Gripen mund ta bëjë lirinë tonë shumë më të sigurt dhe më të arritshme. Testet e provës së “Gripen” tashmë kanë filluar me pjesëmarrjen e ukrainasve – pilotëve tanë”, tha Zelensky.

“Kur Zelensky mbërriti në Suedi, një sulm raketor rus vrau gjashtë persona dhe plagosi 36 në qendër të Chernihiv, kryeqyteti rajonal i provincës veriore të Ukrainës me të njëjtin emër”, tha Ministri i Brendshëm, Ihor Klimenko.

Zelensky dënoi sulmin, për të cilin ai tha se goditi ndërtesa duke përfshirë një teatër dhe një universitet.

“Kjo është një fqinjësi me një shtet terrorist, e gjithë bota është e bashkuar kundër tij. Një raketë ruse goditi mu në qendër të qytetit, në Chernihiv tonë”, shkroi ai në Telegram dhe shtoi se Rusia e ktheu një të shtunë të zakonshme në një ditë të dhimbjes dhe humbjes.

MARKETING