Ballkani e kërkon sonte biletën e “play-off”-it në Ligën e Konferencës

Ballkani e kërkon sonte biletën e “play-off”-it në Ligën e Konferencës



Gazeta Express

17/08/2023 9:40

Ballkani do ta kërkojë sonte biletën e “play-off”-it
në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës do të zbresë në fushën e blertë kundër ekipit Lincoln Red Imps FC me një kapital prej dy golash pasi e fitoi lojën e parë javën e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultat 2:0, shkruan “Gazeta Express” .

Therandasit kanë shkuar në Gjibraltar të motivuar, por aspak të relaksuar, pasi do të mundohen ta ruajnë këtë avantazh dhe ta prekin fazën tjetër, në ndeshjen që do të luhet sonte duke filluar nga ora 18:00.

Trajneri Ilir Daja e ka gati 11-shen që do të
zbresë në fushë për të bërë futboll të bukur si gjithmonë, por edhe që në fund
të dalë me kokën lartë dhe të kthehet në shtëpi me kualifikimin në xhep.

Nëse e kalon pengesën e quajtur Lincoln, ekipi
nga Suhareka sipas të gjitha gjasave në fazën e “play-off”-it do të ketë punë
me BATE Borisovin pasi ekipi bjellorus u mposht nga Sheriff Tiraspoli 1:5 në
duelin e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe humbësi i
këtij dueli do të zbresë në Ligën e Konferencës.

Ballkani synon ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar duke shkuar në fazën e grupeve të UEFA Conference League, shkruan “Gazeta Express” .

Pasi u eliminua nga rrethi i parë kualifikues i
Ligës së Kampionëve, Ballkani e vazhdoi rrugëtimin në Ligën e Konferencës, ku në
rrethin e dytë e eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut, ndërsa është në rrugë të
mbarë për ta eliminuar edhe Lincolnin në rrethin e tretë.

Ekipi Portokalli është krenari e futbollit
kosovar dhe ambasador i tij në futbollin evropian pasi asnjë ekip tjetër i këtushëm
nuk e ka bërë një arritje të tillë. /Gazeta Express/