Kosa e lirisë së shprehjes

Kosa e lirisë së shprehjes


OP/ED


Gazeta Express

09/08/2023 11:33

Secili prej nesh duhet ta çojë përpara idenë e edukimit medial si ilaç për t’i rritur lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, njëkohësisht për t’u larguar nga gjuha fyese, denigruese, kërcënuese. Rrjedhimisht, të mos shohim skena gjunjëzimi nëpër gjykata, si në rastet e Reshat Sadikit dhe Driton Malokut, që i kanosën deputetët dhe përfunduan të akuzuar e dënuar për një fjalë në mediat sociale

FATON ISMAJLI
I
Mërgimtarët Reshat Sadiki dhe Driton Maloku janë viktima të fjalëve të tyre në mediat sociale. Të dytë kishin ardhur për t’u kënaqur në vendlindje. Megjithatë, ata, sapo hynë në Republikë, u ndaluan dhe e shijuan dorën e shtetit. U gjykuan dhe u dënuan, sepse, sa ishin në Gjermani e Zvicër, u kujdesën që t’i përdornin rrjetet sociale për t’i kanosur deputetët e Kuvendit të Kosovës. Madje, mërgimtari me vendbanim në Bon, në kërcënimin ndaj deputetit, kishte shkruar se “vetëm kosa i vjen hakesh” ish-kryeministrit.

Deputetët e kërcënuar e përdorën
të drejtën e tyre ligjore, i dërguan kërcënimet në organet e drejtësisë dhe,
natyrisht, shteti u kujdes që t’i gjente kërcënuesit dhe t’i sillte para
drejtësisë. Një rrugë krejtësisht normale, e ndjekur nga të zgjedhur e
popullit. Secili prej nesh duhet ta bëjë të njëjtën gjë nesër, nëse merr
kërcënime për jetë.

Për ta sqaruar edhe më shumë,
shteti e ka obligim ligjor t’i ndjekë kërcënuesit dhe ata që kanosin zyrtarët e
shtetit pa pasur fare nevojë për denoncim. Ndërsa, kanosja dhe kërcënimi ndaj
qytetarëve iniciohet vetëm nëse qytetari ngrit kallëzim penal sepse ndihet i
kanosur ose kërcënuar.

Kërcënime sikur të Reshatit dhe
Dritonit ka me mijëra çdo ditë, mirëpo të kërcënuarit, për shumë arsye, nuk i
denoncojnë kërcënuesit në organet e hetuesisë dhe, rrjedhimisht, ata mbesin pa
u dënuar.

Dënimet nuk janë treguar efektive
pa u kombinuar edhe me faktorë të tjerë, përfshirë edukimin. Jo edukimin për
shkrim e lexim, se, me gjasë, kërcënuesit po dinë deri diku të shkruajnë dhe të
bëjnë kërcënime e të kanosin njerëz në rrjete sociale. Edukimi duhet të
fokusohet në atë se si t’i përdorim mediat, si të shkruajmë në rrjete sociale,
çfarë nuk duhet të shkruajmë.

II
Gjuha është mjet, si vetura, si telefoni, si revolja, si hekurudha. Përmes
gjuhës dërgojmë mesazhe, informacione, mendime, qëndrime, ofendime dhe mund të
nxisim urrejtje e të bëjmë vepra penale. Gjuha i paraprin pothuajse secilit
veprim. I paraprin edhe luftës.

Si vetura, telefoni, revolja e
hekurudha, edhe gjuha mund të kryejë, pra, edhe funksione të këqija.
Për shkak se dikush i keqpërdor veturën, telefonin e revolen, apriori nuk mund
t’i ndalojmë së përdoruri këto mjete, mirëpo shoqëritë demokratike kanë krijuar
rregulla dhe kufizime se si të përdoren shpikjet moderne. Janë miratuar edhe
sanksione ligjore ndaj të gjithë atyre që e përdorin gjuhën për të kanosur e
kërcënuar.

Natyrisht, me bazën aktuale
ligjore nuk lejohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes, nuk lejohet as nxitja e
mosdurimit kombëtar, racor, gjinor e fetar. Nuk lejohet as gjuha fyese. Në
vendin tonë ka ligje që ndalojnë e kufizojnë dhe parashohin dënime për ata që përdorin gjuhë të tillë.

Kur dikush përdor gjuhë të
urrejtjes e mosdurimit kombëtar, racor, fetar e gjinor, mekanizmat shtetërorë
kanë për detyrë që të aktivizohen dhe t’i ndjekin kryerësit e veprave të tilla
penale. Kur dikush përdor shpifje dhe fyerje, mekanizmat shtetërorë mund t’i
vërë në lëvizje ai që mendon se është i fyer ose kur mendon se ka shpifur
dikush për të.

III
Për ato që u thanë më lart, sigurisht se do të kërkoni shembuj. Pasi t’i lexoni
rreshtat e mëposhtëm, do të shtroni disa pyetje dhe do të kërkoni edhe zgjidhje
se si t’i shmangemi kufizimit të lirisë së shprehjes, por as të mos përdorim
gjuhë të urrejtjes apo gjuhë fyese e kërcënuese.

a) “Jovo” është titulli i këngës së publikuar pas
përfundimit të luftës. Teksti i kësaj kënge ka gjuhë të urrejtjes, ka gjuhë
denigruese për një grup të caktuar shoqëror dhe për persona konkretë. Për ta
krijuar gjykimin e drejtë, ju duhet t’i lexoni disa prej vargjeve të kësaj
kënge: “Ska ma shkije pa lidhje”, “Ska ma popa te flliqt jovo shkije ma nuk
ka”, “Ska ma shkina me musteqe qe dilshin në pazar”, “Rada Trajkoviqin secili
në UNMIK e mjel”, “Magjupt i kena përzanë, i kena çu në Serbi”, “Në emërtime
rrugore, shkija ma nuk ka”. Bazuar në lajmet e kohës, kënga ishte bllokuar nga
UNMIK-u për t’u transmetuar në media. Këtë këngë mund ta dëgjoni edhe sot nëpër
faqe të ndryshme në internet.

b) Në Kosovë ka ekzistuar një
gazetë me emrin “Dita”. Është themeluar pas përfundimit të luftës. Ka publikuar
një tekst me titull “Kur Petari bëhet Piter...”. Teksti ka përmbajtur pretendime se si një
pjesëtar i pakicës serbe ishte i përfshirë në masakra. Disa ditë pas publikimit
të tekstit dhe fotografisë, Petari gjendet i vrarë. Media lihet përgjegjëse për
këtë rast. Më vonë, e njëjta medie ishte mbyllur nga mbikëqyrësit ndërkombëtarë
që kishin pushtet absolut në Kosovë. Nuk ka pasur një proces gjyqësor për të
vërtetuar se shkaku i tekstit është vrarë një qytetar serb.

c) Njihen si “Trazirat e marsit
2004”. Para nisjes së bllokimit të rrugëve dhe shkatërrimit të objekteve të
kultit nga protestuesit, kishin nisur raportimet e mediave se si disa fëmijë
shqiptarë ishin ballafaquar me serbë në veri të Mitrovicës. Sipas rrëfimit të
fëmijëve shqiptarë, serbët ua kishin lëshuar qentë dhe kishin kërcyer në Lumin
Ibër. Aty, kishin vdekur tre, ndërsa fëmija i katërt kishte shpëtuar. I tërë ky
rrëfim ishte transmetuar nga mediat pa e marrë edhe anën zyrtare, pa e marrë
edhe anën tjetër. Edhe për këtë rast ka pasur pretendime se mediat,
përkatësisht RTK-ja ishte fajtore pse kjo ngjarje degjeneroi në trazira të
dhunshme në gjithë Kosovën.

d) Ikballe Huduti është një
aktiviste e një organizate fetare. Në janarin e vitit 2020, ajo, përmes një
teksti të përkthyer, bëri thirrje për hakmarrje, pasi amerikanët vranë një
gjeneral iranian. Huduti shkroi në “Facebook” se hakmarrja ndaj këtij
akti është obligim.. Nëntë muaj më vonë, prokuroria e akuzoi për nxitje në
terrorizëm. Në fund të vitit 2021, ajo u lirua nga akuza. Gjykata ka konstatuar
se nuk është vërtetuar se e akuzuara ka kryer apo ka pasur qëllim që ta kryejë
veprën penale të shtyrjes për kryerjen e veprave terroriste. Në gjykatë, Huduti
tha se teksti nuk ishte mendim i saj, por një përkthim dhe gjykata konstatoi se
mendime sikur të Igballes kishte edhe në vende të tjera, mesazhe këto që nuk
përbënin vepër penale.

“….vërtetojnë se në mbarë
opinionin botëror, kishte mendime me përmbajtje të ngjashme dhe më të ashpra
sesa postimi i përkthyer i të akuzuarës në rrjetin sociale “Facebook” dhe se
asnjë nga këto opinione të postuara në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare
nuk ishte cilësuar si ndonjë shtytje për kryerjen e veprave penale apo diçka të
ngjashme”- thuhet në aktgjykim.

Rrjedhimisht, postimi i saj në
“Facebook” ka hyrë në domenin e lirisë së shprehjes pavarësisht se me
mesazhin e saj mund të mos pajtohemi. Liria e shprehjes ia ka mundësuar secilit
të thotë edhe diçka që për kutin tim ose tuajin mund të jetë e gabueshme.

a) Lulzim Peci, profesor i biologjisë, i etur për famë dhe
paraqitje televizive, nga Vushtrria u bë lajm para disa muajsh. Jo për mënyrën
se si i edukon nxënësit, jo për ndonjë hulumtim nga bota bimore e shtazore, por
për një vallëzim mediokër. Tash, besoj, secili ka harruar se ai ka ekzistuar
ndonjëherë. Ai e shfrytëzoi të drejtën e lirisë së shprehjes, duke e bërë
publike në “Tik-Tok” mënyrën se si vallëzon.

Fjolla Ujkani, deputete e
pushtetit, reagoi dhe i cilësoi videot si degjeneruese. Pas reagimeve dhe
përkrahjes që e mori profesori, deputetja Ujkani kërkoi falje. Mirë që kërkoi
falje e nuk ndërmori ndonjë nismë ligjore për të definuar se çka është e mirë,
çka është edukim e çka degjenerim, sepse nëse pushteti e përcakton shijen e
publikut, shijen e artit, shijen e letërsisë, shijen e muzikës, atëherë ka rrezik
që një ditë, pushteti të përcaktojë se vlerë dhe i dobishëm është shikimi i
filmave të viteve të 90-a. Kjo nuk ndodhi. Është mirë që nuk ndodhi. Nuk duhet
të ndodhë kurrë që pushteti të përcaktojë se çka ka shije e çka është
degjenerim në art, kulturë, muzikë e akademi.

IV
Kur përfundon liria e shprehjes? Një përgjigje e shpejtë: Kurrë. Sepse shprehja
e mendimit nuk duhet të ketë pasoja për atë që e thotë dhe logjikshëm nuk duhet
të ketë pasoja as për atë që e pranon.

Fillimisht, duhet të sqarojmë se
ÇKA ËSHTË e ÇKA NUK ËSHTË liria e shprehjes, nocioni më i keqkuptuar dhe i
keqpërdorur e i keqinterpretuar prej se ekziston ideja për të menduar lirshëm,
për ta shprehur mendimin dhe për lirinë e mediave.

I keqkuptuar, sepse njerëzit,
sidomos pjesa me shkollim problematik e mesatar, nuk e kuptojnë esencën e
lirisë së shprehjes.

I keqpërdorur, sepse pushteti dhe
të fortit e kanë përdorur lirinë e shprehjes për ta rritur pushtetin e tyre dhe
për t’i zvogëluar të drejtat e të tjerëve.

Liria e shprehjes është keqkuptuar,
sepse njerëzit shkojnë deri në ekstreme për ta përdorur këtë liri, e cila,
pastaj, nëse kalon në gjuhë kërcënuese, të urrejtjes, kalon në gjuhë denigruese
dhe mund të kalojë në nxitje të vrasjes. Rasti tipik se si media përdoret për
të vrarë njerëz, pasqyrohet te filmi “Hotel Rwanda”, ku vrasjet nxiten nga zëri
i radios.

Liria e shprehjes është e drejta
e njeriut që ta ketë të gabuar mendimin. E drejta e këngëtarit për të kënduar
një tekst banal në këngën e tij. E drejta e aktorit për të luajtur një rol
krejtësisht të kotë.

Liria e shprehjes nuk është, nëse
shpifni, fyeni, kërcënoni, kanosni, bëni thirrje për mosdurim racor, kombëtar a
fetar.

Për këtë arsye, liria e shprehjes
edhe është kufizuar me instrumente ligjore, të cilat janë treguar të pamjaftueshme
për të mos lejuar një përmbajtje të caktuar të depërtojë te lexuesi, shikuesi,
dëgjuesi.

Ekziston një zgjidhje më e mirë,
më efikase për gjithë këtë problem, një zgjidhje jo e thjeshtë, që është
edukimi. Përmes edukimit medial, nisur nga fëmijët, nxënësit, studentët,
mërgimtarët, profesorët, pra, e gjithë shoqëria do t’i kuptonte lirinë e
shprehjes dhe tejkalimin e kësaj lirie në vepra penale.

Edukimit medial do ta mundësonte
krijimin e aftësive te grupet shoqërore për t’i dekonstruktuar përmbajtjet
raciste, tekstet që kanë gjuhë të urrejtjes, tekstet që e tejkalojnë lirinë e
shprehjes dhe gjuhën që shkakton dhunë. Rrjedhimisht, secili grup shoqëror do
të njoftohej me bazat e funksionimit të medias dhe rrjeteve sociale si dhe
mënyrën se si t’i përdorim ato që mos të biem ndesh me ligjin.

Në këtë drejtim, secili prej nesh
duhet ta çojë përpara idenë e edukimit medial si ilaç për t’i rritur lirinë e
mendimit, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, njëkohësisht për t’u larguar
nga gjuha fyese, denigruese, kërcënuese. Rrjedhimisht, të mos shohim skena
gjunjëzimi nëpër gjykata, si në rastet e Reshat Sadikit dhe Driton Malokut.