Unë “argati i Beogradit” – Gazeta Express

Unë “argati i Beogradit”


OP/ED


Gazeta Express

03/08/2023 15:17

Së pari përpiqen të
diskreditojnë, të bëjnë spiun, “njeri të Serbisë” dhe tradhtar që nuk ia do të
mirën vendit tënd. Më pas të linçojnë dhe të godasin.
Qasja dhe gjuha e njerëzve të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve
po i rrezikon ata, duke iu krijuar klimë pasigurie në punë.

Imer Mushkolaj

Qindra
komente fyese e kërcënuese kam marrë ditëve të fundit në rrjetet sociale, për
postimet e mia që kanë pasur të bëjnë me rrezikun që iu kanoset gazetarëve nga qasja
dhe gjuha e njerëzve të pushtetit që, nga militantë dhe simpatizantë të
Lëvizjes Vetëvendosje më të shpejtë “përkthehet” në sharje, fyerje, linçim e
thirrje për vrasje.

“Ti po e
mbështet Vuçiqin”, “argat i Beogradit”, “ti po e lufton
Albinin”, “duhet me ju burgosë”, “duhet me ju vra”
etj. janë vetëm disa nga komentet në adresë timen, në rrjetet sociale.

Njerëz
të partisë në pushtet kanë zgjedhur që të sulmojnë e të përpiqen ta
diskreditojnë secilin dhe secilën që është kritik ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë
së tij. Secili dhe secila që flet për skandalet në qeverisje, që kritikon mënyrën
se si Kurti po e udhëheq shtetin, vihet në shënjestër të sulmeve. Pushteti po i
konsideron kritikët armiq dhe po përpiqet t’i diskreditojë e delegjitimojë,
para se armata e militantëve t’i “masakrojë” ata online dhe t’i
kërcënojë edhe fizikisht. Gjuha e urrejtjes në platforma sociale nga militantë
e simpatizantë të Vetëvendosjes dhe etiketimet “shpiun i Serbisë”,
“shërbëtor i Vuçiqit”, “i shitun” etj. tashmë janë kthyer
në normalitet.

Në protestën në
mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së fjalës, organizuar në fillim të javës në
Prishtinë, pati provokime jo vetëm nga eksponentë të pushtetit, por edhe nga
qytetarë – mbështetës të Kurtit, të cilët shanin e fyenin gazetarë. Sipas
mendjes së tyre, protesta masive e gazetarëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë
civile ishte kundër Kurtit, kundër Kosovës dhe pro Vuçiqit, pro Serbisë. Sipas
mendjes së tyre, protestuesit nuk ia duan të mirën Kosovës dhe po e pengojnë Kurtin
që të bëjë “punë të mira”. Sipas tyre, të gjithë gazetarët paguhen nga Serbia
dhe Rusia, me qëllim që ta rrëzojnë Kurtin.

Kjo mendësi është e
rrezikshme dhe fare lehtë mund të shndërrohet në rrezik permanent për të gjithë
gazetarët dhe opinionistët që vetëm e bëjnë punën e tyre.

*
* *

Qëllimi
i pushtetit është që betejën me Klan Kosova ta paraqesë si betejë me një
biznes, por jo me një media. Megjithatë, qëllimi është krejt tjetër. Duke u përpjekur
që këtë media ta lidhin në çfarëdo mënyre me Serbinë, ashtu si dhe gazetarë dhe
media të tjera, pushteti po synon të çojë mesazh te gazetarët, mediat tjera.

Pra,
asgjë nuk është e rastësishme – siç nuk janë të rastësishme as reagimet lokale
e ndërkombëtare për veprimet e qeverisë dhe alarmi se po cenohet liria e
mediave.

Duke
provuar ta ngre çështjen e mediave në nivel të rrezikimit të sigurisë kombëtare,
pushteti po synon që t’i delegjitimojë e diskreditojë mediat. Kjo është shumë e
rrezikshme.


kohën kur Vetëvendosja ishte në opozitë, gazetarë dhe media të njëjta kanë
publikuar dhjetëra skandale të partive në pushtet. Atëbotë mediat dhe gazetarët
ishin të mirë. Skandalin “Pronto” e zbuluan mediat, jo Vetëvendosja.

Kanë
vlerësuar gabim njerëzit e pushtetit nëse kanë menduar se pavarësisht çka bëjnë
e si veprojnë, do ta kenë mbështetjen e mediave dhe të shoqërisë civile. Kanë
menduar gabim nëse kanë pritur që mediat dhe shoqëria civile do të duartrokasin
çdo veprim e vendim të tyre.


vend që të merren me gazetarë dhe media, pushteti duhet të merret me thelbin,
me përmbajtjen e përgjimeve që janë publikuar në Nacionale. Qytetarëve duhet
sqaruar nëse ato pretendime në përgjime janë të vërteta – por me prova, jo me
propagandë.

Beteja
me mediat është e humbur dhe këtë e di mirë qeveria dhe Albin Kurti. Por,
qëllimi i tyre është i qartë: pra, diskreditimi i mediave dhe gazetarëve dhe
armiqësimi me militantët dhe simpatizantët e tyre.

Reagimi
i militantëve dhe simpatizantëve në platformat sociale dëshmon se ky qëllim po
arrihet. Por qëllimi për t’i mposhtur, nënshtruar mediat e gazetarët nuk
arrihet kurrë.

Gazetarët
mbajnë mend të gjitha qeveritë, kryeministrat dhe ministrat tash njëzet vjet. Pushtetet
shkojnë e vijnë. Mediat dhe gazetarët mbeten.