Rasti i Klan Kosovës merr vëmendjen e medias botërore

Ndonëse tash e një kohë mbetet një ndër çështjet më të diskutuara në Kosovë, përpjekja për të mbyllur Klan Kosovën ka marrur edhe vëmendjen e mediave botërore.

Është “Reuters” medium amerikan i cili shkruan se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të pezulluar licensën e mediumit të lartëcekur, alarmoi gazetarët në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës pezulloi të premten licencën e transmetuesit më të madh televiziv privat në vend për një gabim në regjistrim, duke alarmuar gazetarët që akuzuan partinë në pushtet për një luftë të hapur kundër medias së lire”, shkruan Reuters.

Gjatë të premtes, ishte Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e cila njoftoi  se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi se Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka marrë vendimin e saj në përputhje me ligjin në momentin kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovën.

Tashmë, Klan Kosova mund të ankohet në Gjykatë.

Një lajm i tillë nxiti një varg reagimesh.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar në lidhje me vendimin e ministrisë që udhëheq për pezullim certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Sipas saj, fakti që një biznes ndër të tjera merret edhe me media nuk mund të amnistohet prej llogaridhënies për shkeljet ligjore.

Nga ana tjetër, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka deklaruar se çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit të lartëcekur duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë. Ajo ka theksuar se liria e mediave mbetet një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike.

Si “shumë shqetësuese” është vlerësuar vendimi i MINT-it për Klan Kosovën nga ambasadori  i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tij, mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë do të ishte një goditje serioze për lirinë e medias.

Reagime pati edhe nga opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vlerësuar se Qeveria ka humbur rrugën e saj dhe se e njëjta po shkon drejt tendencave dikatoriale.

Ndërkaq, vendimi mbi Klan Kosovën u cilësua si “i çmendur” nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai theksoi se Kosova nuk është “një Korea e Veriut”.

Përmes një deklaratë të përbashkët, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe zyrës së Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin tyre ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.

Në deklaratën e tyre, theksohet se ky vend do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.