Gazetar: Adrian Kerimi
Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe Komisioni për anti-korrupsion ndajnë rrugë. Nuk do të bashkëpunojmë tani e tutje. Mbase ironike, por krimi i organizuar vlerëson se komisioni për parandalimin e korrupsionit në seancën e një ditë më parë ku denoncoi transferimin e pasurisë së pa konfiskuar të Sead Koçan në llogari të pasurisë së biznesmenit të BDI-së, Ismail Jahoski ka cenuar hetimet e organit të akuzës.
“Komisioni për antikorrupsion nuk ka pasur qasje në gjendjen e plotë faktike të cilën prokurori përkatës do ta shpjegon në mënyrë të hollësishme pasi të marrë vendim. Konstatimet e komisionit në lidhje me pasurinë e “Transmet” nuk bazohen as në vendimet e plotfuqishme të Gjykatës së Apelit mbi të cilat, marrëveshjet për transferimin e pasurisë nga “Transmet” tek “Pucko Petroll” janë vlerësuar të pabaza dhe sipas ligjit pasuria e Sead Koçan ka kaluar në pronësi shtetërore”, thonë nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion.
Anti-korrupsioni gjykon se prokuroria me të cilën udhëheq Islam Abazi po ngutet. Sipas tyre, krimi i organizuar nuk mund të vlerëson nismën derisa e njëjta nuk u është dorëzuar akoma.
“Si mundet prokuroria ta vlerëson iniciativën si jo përmbajtjesorë dhe të pabazë kur iniciativa akoma nuk u është dorëzuar dhe organi i akuzës nuk ka njohuri se cilat dëshmi i kemi siguruar gjatë analizës së kësaj lënde”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.
Ditë më parë, Anti-korrupsioni denoncoi se një pjesë e pasurisë me vlerë prej 12,4 milion euro e cila është dashur të konfiskohet dhe të kalon në pronësi shtetërore në fakt i është ndarë kompanive të ndryshme. Kompania që më shumti ka përfituar në këtë rast është “Pucko Petroll” e deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski, përkatësisht 4 milion euro. Pasuria e Koçan ka përfunduar edhe në llogari të kompanisë së Hana Jahoskas, “BI Holding” e cila lidhet drejtpërdrejtë më “Pucko Petroll” për shkak të lidhjes së tyre familjare. Deri tek ky lëshim sipas anti-korrupsionit ka ardhur si pasojë e lëshimit që kanë bërë prokurorët e rastit, respektivisht Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski ndaj të cilëve kishte kallëzim mbi dyshimet se pasurinë e ngrirë e kishte pranuar si garanci bankare në paraburgimin e Koçan. Anti-korrupsioni gjykon se as Avokatura Shtetërore dhe as Agjencia për menaxhimin e pronës së konfiskuar nuk kanë vepruar në kohë. Sead Koçan u dënua me 6 vite burg mbi akuzën për dëmtimin e buxhetit shtetëror në rastin “Trust” të ish PSP-së. Koçan përmes ofertës së rrejshme dhe dokumentacionit jo përkatës kishte fituar tender me vlerë prej 17 milion euro për gërmime në REK “Bitolla”. /Alsat.mk