Pas shpalljes kampion me PSG-në, Galtier: E meritoj të jem trajner edhe për një sezon

Pas shpalljes kampion me PSG-në, Galtier: E meritoj të jem trajner edhe për një sezon


Sport


Gazeta Express

28/05/2023 14:05

Pavarësisht një sezoni të trazuar si
brenda dhe jashtë fushës, Paris Saint-Germaini e mbrojti me sukses titullin e
tyre të kampionit në Ligue 1.

Të shtunën mbrëma, Paris Saint-Germaini
luajti baras 1:1 me Strasbourgun. Një pikë i mjaftoi parisienëve për të
siguruar edhe matematikisht titullin e 11-të të kampionit, shkruan Gazeta
Express.

Për trajnerin Christophe Galtier, është ky
titulli i dytë në karrierën e tij si trajner – pasi dy vjet më parë e fitoi me
Lille.

Megjithatë, sipas raportimeve nga Franca, klubi
i PSG-së është i vendosur për ta zëvendësuar atë pas përfundimit të këtij sezoni.

Parisienët dështuan edhe këtë sezon në
Ligën e Kampionëve, teksa nuk ia dolën as në Kupën e Francës.

Pas sigurimit të titullit të kampionit, Galtier
tha se besonte se ai e meriton të jetë trajner deri në fund të kontratës së
tij, që skadon në verën e vitit të ardhshëm.

Ai theksoi se Kupa e Botës kishte ndikuar
në sezonin e ekipit, siç kishte lëndime afatgjata të lojtarëve të rëndësishëm
si Neymar dhe Presnel. Kimpembe.

Siç raportohet nga “RMC”, trajneri
gjithashtu vuri në dukje se ai kishte kaluar një kohë të vështirë edhe
personalisht, mes akuzave për racizëm që datonin që nga koha e tij në Nice
vitin e kaluar.

“Unë personalisht besoj se e meritoj të
vazhdoj. Pse e meritoj? Sepse kam dhënë gjithçka këtë sezon, me shumë energji.
Ne ishim në gjendje të qëndronim në rrugën e duhur gjatë disa momenteve shumë,
shumë të vështira, qoftë kjo në aspektin profesional apo personal”, tha
francezi.

“Analiza e saktë, të cilën ju [gazetarët]
nuk dëshironi ta bëni, është se ka pasur një PSG para Kupës së Botës dhe një
PSG pas Kupës së Botës, me lojtarë shumë të rëndësishëm që në disa raste nuk
kanë luajtur për 16-17 ndeshje”, shtoi Galtier. /Gazeta Express/