(PAMJE) Zhvillimet e së premtes në veri, të gjitha reagimet nga faktorët ndërkombëtarë

Ishte të premten dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.

Gjithçka nisi me aktivizimin e alarmit në këto komuna. Mund të shikoni videon e bashkangjitur ku dëgjohet alarmi gjatë raportimit të gazetares së RTV Dukagjinit.

Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.

Me fillimin e intervenimit për t’i shpërndarë protestuesit në komunën e Zubin Potokut, Njësia Speciale e Kosovës e ka filluar intervenimin për të depërtuar në hyrje të objektit, duke e shpërndarë turmën.

Policia e ka thyer derën e komunës, e cila ishte e blinduar nga protestuesit.

Sipas ekipit të RTV Dukagjinit që po qëndronte atje, disa protestues janë lënduar. Aty ishte edhe autoambulanca, e cila e ka dhënë ndihmën e parë.

Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.

 

Reagime të shumta nga ndërkombëtarët nuk munguan.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës në tri komunat e veriut të Kosovës.

Ai i ka cilësuar të dhunshme masat e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, teksa ka bërë thirrje që ato të ndalen menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier.

Pas tij, reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës për tensionet në veri të vendit, duke i bërë thirrje kryeministrit, Albin Kurti, që të ndalojë menjëherë, sipas tij, këto “masa të dhunshme”.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Blinken kërkoi nga Kurti të ripërqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit, Albin Kurtit, të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Në reagimet e njëpasnjëshme, nuk mungoi as ai i shteteve të QUINT-tit.

Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të “zmbrapsen menjëherë” nga veprimet në veri të vendit.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar dhe rivendosur qetësinë. Ai ka theksuar se BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm, provokues.

Departamenti i Shtetit ka thënë se Qeveria e Kosovës gjatë ditës së premte ka ndërmarrë veprime kundër këshlliave të Shtetve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj evropian.

Kështu këto veprime të “panevojshme”, siç thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, do të kenë pasoja në marëdhëniet në mes Kosovës dhe ShBA-ve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka deklaruar se veprimet e Policisë së Kosovës mbesin legjitime. Ajo ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm dhe si i tillë, mbrohet.

Pasi DASH-I i cilësoi si “të dhunshme” veprimet e PK-së në veri, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ky reagim ishte një inkurajim për Radojçiqin.

“Etiketimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionin e saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’, është ‘ftesë’ për Milan Radojiçiqin e futur në listën e zezë të SHBA-së për t’i komanduar mashtruesit e tij që t’i sulmojnë policët e Kosovës. të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore. Keqinterpretimi i realitetit mund të rezultojë me kosto njerëzore”, ka shkruar Sveçla.

Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka thënë se ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale, dhe se “qëllimi primar” i tyre ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim.

Në mes të tjerash, në të thuhej se me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, “njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale.

Pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë lëndime të lehta trupore, pas tensioneve të cilat u krijuan në komunën e Zveçanit gjatë të premtes.