“Absolutisht jo”, Kusari-Lila mohon se u bëri presion deputetëve për projektligjin e ministrit Vitia

Të mërkurën është raportuar se shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u ka bërë presion disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për t’i siguruar votat që projektligji për Shëndetin Riprodhues të kalojë.

Megjithatë, ky projektligj ka dështuar të kalojë të mërkurën në mungesë të kuorumit. Kjo pasi, tre deputetë të koalicionit qeverisës, Ekrem Mustafa, Fidan Jilta dhe Fitim Haziri votuan kundër Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimit të Asistuar, të sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

E në një video të Nacionales, thuhet se Kusari-Lila shihet duke folur me deputeten Duda Balje, kur kjo e fundit i thotë se “nuk po du me votu”. Paparaci ka provuar të marrë një përgjigje nga Bale, por ka qenë e paqasshme.

Nga ana tjetër, “absolutisht jo”, ishte përgjigja e Kusarit kur u pyet nga Paparaci për këtë çështje.

Deputetja e LVV-së tha se kanë qenë dy deputetët e komuniteteve, Duda Balje dhe Bahrim Shabani, që nuk kanë marrë pjesë në këtë votim “pa ndonjë paralajmërim apo pakënaqësi paraprake”.

Prandaj, ajo bëri të ditur se nuk ushtron presion ndaj askujt. Tregoi se veç i ka pyetur deputetët se pse nuk po marrin pjesë në këtë votim.

“Ju nuk kam parë video nga seanca, edhe pse jam e vetëdijshme për prezencen e kamerave në sallë. Ta keni të qartë se presion nuk ushtroj ndaj askujt, por thjesht kam pyetur deputetët pse nuk po marrin pjesë në votim, pasi nuk kanë shprehur asnië kundërshti paraprake me projektligjin”, tha ajo për Paparacin.

Sipas saj, ata kanë zgjedhur të mos marrin pjesë herën e parë dhe pjesën e dytë gjë që rezultoi me mungesë kuorumi.

Projektligji, i cili ka hasur në kundërshtinë e disa deputetëve të koalicionit qeverisës, ka dështuar të kalojë në mungesë të kuorumit. Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Vetëm 59 deputetë po marrin pjesë në votim. Konsideroj se nuk e kemi kuorumin e mjaftueshëm, kështu që nuk po e përsërisim më”, tha kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.

Tre deputetë të koalicionit qeverisës, Ekrem Mustafa, Fidan Jilta dhe Fitim Haziri kanë votuar kundër projektligjit.

Eman Rrahmani dhe Fjolla Ujkani, të dy pjesë e Grupit Parlamentar të LVV-së, nuk kanë marrë fare pjesë në votim. Labinotë Demi-Murtezi, po ashtu pjesë e LVV-së, ka abstenuar në votim.

Ky ligj, kishte ngjallur debate të mëdha dhe kishte nxitur përçarje në mesin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje edhe gjatë hedhjes në votim në mars të këtij viti. Asokohe, ligji nuk kishte kaluar për shkak të kundërshtimit nga nëntë deputetë.

Deputetët që asokohe kishin votuar kundër ishin: Haxhi Avdyli, Burim Meta, Ekrem Mustafa, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi-Murtezi, Arta Baralija, Bahrim Shabani, Erxhan Galushi, Duda Balje, Fidan Jilta.