(VIDEO) Kuvend, vazhdon debati mes pushtetit dhe opozitës për ligjet e korridoreve

Ashtu edhe siç është bërë traditë, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, edhe sot debati për ligjet e korridoreve 8 dhe 10d u zhvillua me akuza dhe kundër akuza mes pushtetit edhe opozitës. Pushteti lavdërohej ndërsa opozita kritikonte. Debati i sotshëm ishte në lidhje me propozim-ligjin e ndërtimit. Opozita maqedonase VRMO-DPMNE, thotë se pushteti do të ndërtojë 110 kilometra autostradë, përderisa në 6 vitet e fundit, nuk kanë mundur t’i bëjnë as gjashtë metra autostradë. Sipas tyre, në ligjet për ndërtimin  e korridoreve nuk ka asgjë evropiane, përveç vjedhjes së parave të qytetarëve.

Mirçe Axhioski, deputet nga VMRO-ja

 “Nuk ka asgjë evropiane në vjedhjen e 300 milionë eurove, nuk ka asgjë evropiane në vjedhjen e qytetarëve të Maqedonisë. Këto ligje që po i sillni këtu,  nuk janë ligje për ndërtim, pasi kështu nuk ndërtohet. Këto janë ligje për vjedhje, dhe për këtë arsye po nxitoni, që të mundet sa më shpejt të vidhen të hollat e qytetarëve”

Për LSDM është shumë diskutabile dhe e pahijshme  që VRMO-ja të flasë për korridoret, që në kohën e tyre nuk kanë bërë asgjë. Ndërsa, sipas tyre, gjatë qeverisjes së LSDM-së, ndërtime aktive ka në Kërçovë-Ohër, si dhe disa autostrada tjera janë në ndërtim e sipër.

Zhaklina Llazareska, deputete e LSDM-së

“Me shumë gjasa nuk doni që kjo autostradë të bëhet, ju nuk doni të ndërtohet pasi për ju kjo do të ishte shkatërruese. Të fillohet dhe të ndërtohen 110 kilometra të autostradës, që kanë domethënje strategjike edhe për Maqedoninë edhe për rajonin, dhe për Evropën, për juve kjo është shkatërruese, ju nuk ja doni të mirën qytetarëve”

Ndërsa për VMRO-DPMNE vazhdon të mbetet dyshuese jotransaprenca e marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve. Sipas tyre, të gjitha transaksionet e kryera nga qeveria kanë mbetur të fshehta dhe nuk dihet se ku po shkojnë paratë e qytetarëve, ndërsa shtojnë se ndërtimi i korridoreve mund të kushtojë edhe më tepër se sa çmimi i caktuar.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

 

MARKETING