Të varesh nga mendimi i tjetrit

Të varesh nga mendimi i tjetrit

Shkruan: Hamdi Nuhiju

Njerëzit varen nga mendimet e të tjerëve. Nuk është fshehtësi! E as zbulim i ujit të ngrohët. Është realitet i cili përjetohet në secilën skenë të historisë njerëzore.

Opinioni i të tjerëve, Rumit i kushtoi me rrënimin e imazhit në momentin kur ai po blinte dy shishe me verë. Për Shemsin, atë udhërrëfyes shpirtëror. Imazh të cilin e kishte ndërtuar me vite. Ishte bërë i varur. Për asnjë moment, nuk mund të shkëputej . Ushqehej me idenë se si e presin dhe e mendojnë të tjerët.

Shishet ishin të verës, por në brendi kishte uthull! Demanti dhe dezinformata. Bindi njerëzit se në shishet e verës kishte uthull.

Sot nuk ka rëndësi përmbajtja e mendimit, por orientimi dhe momenti! E kanë dëshmuar shumë njerëz me ndikim në shoqëri.

Filozofi indian Jiddu Krishnamurti në librin e tij “Liria nga e njohura” flet për varësinë e tij më të madhe, atë nga publiku.

Nxjerr në pah copëza sinqeriteti duke folur për mangësinë e cila gjithnjë e më shumë është pjesë përbërëse e jetës shoqërore:

“ Unë zbuloj për vete se varem prej diçka, të themi , prej publikut i cili më stimulon. Prej atij publiku prej të cilës drejtohem para një grupe njerëzish unë fitoj një lloj energjie. Edhe për këtë arsye unë varem prej asaj publike, prej atyre njerëzve, pa marrë parasysh se a pajtohen ato me mua ose jo. Aq më shumë që nuk pajtohen me mua, aq më tepër vitalitet më japin. Nëse pajtohen, i tërë procesi shndërrohet i cekët, punë e zbrazët. Dhe kështu unë e kuptoj se mua më duhet publik, pasi që drejtimi te njerëzit më dukej tepër stimuluese. Po pse? Pse varem? Pasi që në vete, jam i cekët, jam i zbrazët, në vete nuk kam asgjë, burim që është gjithmonë i mbushur dhe i pasur, vital, i lëvizshëm, i gjallë. Dhe kështu varem. E zbulova arsyen”.

Shemsi e mësoi Rumin se si ta shkëpus lidhjen e tij me varësinë ndaj mendimit të tjerëve dhe ti bëj gjërat në të cilat beson se janë të drejta dhe të sakta. Krishnamurti nivelin e varjes e lidh me cektësinë e njeriut. Njeriu sa më i cekët është në brendësi, aq më shumë varet nga të tjerët.