Ancelotti kapet me gazetarët për Viniciusin: La Liga ka një problem shumë serioz

Ancelotti kapet me gazetarët për Viniciusin: La Liga ka një problem shumë serioz


Sport


Gazeta Express

21/05/2023 23:44

Carlo Ancelotti hyri në një seri
diskutimesh të tensionuara me reporterët spanjollë mbi abuzimin racist ndaj
sulmuesit të Real Madridit, Vinicius Junior, nga tifozët e Valencias.

Fyerjet ishin aq të rënda në ndeshjen e
sotme sa që gjqytari e ndaloi lojën në “Mestalla”, transmeton Gazeta Express.

Kur ndeshja rifilloi, u pa një Vinicius
dukshëm i nervozuar dhe u përjashtua pastaj me karton të kuq pasi goditi një
futbollist kundërshtar.

Valencia fitoi 1-0, por Ancelotti nuk
ishte në humor për të folur për futbollin në intervistën pas ndeshjes.

“Jam shumë i zemëruar. Ajo që ndodhi sot
është e turpshme. I gjithë stadiumi e quajti Vinicius majmun dhe unë mendoj se
La Liga ka një problem shumë serioz me këtë”, tha ai pas ndeshjes.

“E pyeta Vinicius nëse donte të vazhdonte
të luante, por gjithashtu duhej t’i thoja se nuk ishte fajtori, ai ishte
viktima dhe nuk është e drejtë që viktima duhet të largohet nga situata.
Gjyqtari më tha se aktivizoi protokollin për abuzim racist, por nuk më duket
zgjidhje, sepse tashmë e di që asgjë nuk do të ndodhë”, shtoi trajneri italian.

Gjërat u ndezën edhe më shumë në
konferencën për shtyp më pas, ku një nga gazetarët vendas u ankua se Ancelotti
po i shante padrejtësisht njerëzit e Valencias duke thënë se ata ishin të
gjithë racistë.

“Nuk ishte një person që bërtiste majmun,
majmun, majmun, ishte turma”, deklaroi Ancelotti.

Gazetari vendas u përpoq të argumentonte
se ata po bërtisnin “tonto”, që do të thotë “idiot”, por Ancelotti nuk u
tërhoq.

“Gjyqtari aktivizoi protokollin për abuzim
racist. A do ta pezullonte lojën sepse e quajtën dikë idiot? Jo. Është për
shkak se ka pasur abuzim racist”, tha trajneri i “Los Blancos”.

Më pas Ancelotti u largua nga dhoma e shtypit, dukshëm i zemëruar. /Gazeta Express/