Marakli të privilegjeve – Gazeta Express

Marakli të privilegjeve


OP/ED


Gazeta Express

19/05/2023 14:57

Lëvizja Vetëvendosje në opozitë
kritikonte privilegjet financiare për zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë publikë.
Por, tash në pushtet, kjo parti ka “harruar” të merret me to. Për më tepër, po
shton privilegje të tjera. Ndërkohë, paga minimale vazhdon të jetë 170 euro.

Imer Mushkolaj

Sa
ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje e kritikonte fort ligjin që përcaktonte përftimet
e ish-zyrtarëve të lartë politikë. Ky ligj dhe tjetri për presidentin, VV
thoshte se duhet ndryshuar, sepse kishin shumë benificione.

“Ka
ardhur koha kur ne duhet t’i shkurtojmë disa prej përfitimeve të ish zyrtarëve
të lartë, por edhe benificionet që i kanë zyrtarët e lartë, aktualisht… Për mua
mbetet e pakuptueshme se si deputeti merrë edhe pagë edhe shtesa në komisione
dhe seanca parlamentare”, deklaronte Albulena Haxhiu.

Ndërkaq
Glauk Konjufca, tash kryetar i Kuvendit, thoshte se ky ligj është përgatitur me
qëllim që politikanët t’ia bëjnë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do
të jenë më në pozita.

“Kur
e kam lexuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për
përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, e kam kuptuar se kryeministri Hashim Thaçi
po përgatitet për pensionim politik. Tash kur kryeministrit po i afrohet fundi
politik, ai ka filluar t’i ndryshojë ligjet për t’ia bërë vetes vendin sa më
luksoz, atëherë kur nuk do të jetë më aty ku është. Arsyet janë të qarta, nëse
e lexojmë ligjin. Ky është një ligj që e tregon makutërinë e zyrtarëve tanë
shtetërorë”, deklaronte ai.

Por
tash kur partia e Albin Kurtit është në pushtet, këto deklarata janë harruar.
Për më tepër, privilegjet e vjetra vazhdojnë, ndërkaq të reja miratohen.

Ditët e fundit Kryesia e Kuvendit ka miratuar rregulloren e re për shtesa
mbi pagën bazë për deputetët dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës
politik. Nëpërmjet kësaj rregulloreje, kryetari i Kuvendit do të përfitojë nga
shtesat pagë gati sa paga bazë. Sipas ligjit për paga, Konjufca merr pagë bazë 1785 euro. Me rregulloren e re për shtesa ai do të
përfitojë shtesë të veçantë mujore 30 për qind të pagës bazë, përkatësisht 535.5 euro. Po ashtu, ai do të
përfitojë edhe nga një shtesë e veçantë prej 47 për qind të pagës bazë, përkatësisht 838.9 euro. Kështu, në fund të
muajit, Konjufca do të ketë të ardhura në shumën 3159 euro. Ndërkaq, nënkryetarët e Kuvendit do të paguhen gjithsej
2251 euro. Pra, në kohën e qeverisjes së
VV’së privilegjet jo që po shkurtohen, përkundrazi, po shtohen. Premtimet
dhe kritikat e tyre të dikurshme tashmë janë harruar.

* * *

Është e
natyrshme që zyrtarët kryesorë publikë të paguhen në shumë të caktuar edhe pas
përfundimit të mandatit. Por, në një vend të varfër si Kosova, këto benefite,
këto privilegje duhet të rishikohen dhe të reduktohen.

Përderisa
ish-politikanët dhe zyrtarët tjerë vazhdojnë t’i gëzojnë privilegjet, gjendja
ekonomike e kosovarëve vazhdon të jetë e vështirë.

Qeveria e
majtë e Albin Kurtit nuk ka arritur ende të miratojë ligjin për pagën minimale.
Ndërkohë që inflacioni ka prekur nivele të larta, paga minimale vazhdon të jetë
170 euro, përkatësisht 130 euro, pensionet nuk janë rritur ndërkohë që kostoja
e jetës ka “fluturuar”.

Ashtu si
plot premtime të tjera, edhe këto për privilegje zyrtarësh e barazi qytetarësh
janë harruar. Tash zyrtarët e VV’së, të rehatuar në pushtet, po i gëzojnë të
njëjtat privilegje, të cilat dikur i kundërshtonin. Tash pushtetarët e VV’së po
sillen sikurse ata që kanë qeverisur para tyre, ndonëse në pushtet kanë ardhur
me premtimin se nuk do të jenë si ata.

Premtimet
e VV’së opozitare kanë mbetur vetëm fjalë të bukura që trullosin mendjen e
qytetarëve. Më shumë se dy vjet në pushtet, qeveritarët VVistë nuk kanë
ndërmarrë asnjë iniciativë për ndryshimin e ligjeve që rregullojnë këto
privilegje.

Duket se
për VV’në ka qenë e lehtë që të akuzojë e kritikojë sa ka qenë në opozitë, por
tash po i pëlqen pushteti dhe as po merret me pretendimet e dikurshme.
Megjithatë po insiston se nuk ka ndryshuar, se është parimore dhe të tjera
budallallëqe të këtij lloji.

Tashmë nuk
mund të flitet as për premtime të mbajtura, e as për parime të pandryshuara.
Privilegjet që i gëzojnë ata para tyre sot, do t’i gëzojnë këta nesër. Janë
bërë marakli të privilegjeve.